Dhunimi i gazetarit Gjergj Zefi, arrestohet një nga autorët
Policia ka arrestuar një nga autorët që ka dhunuar gazetarin Gjergj Zefi, ngjarje e ndodhur më 3 tetor të këtij viti.
31-vjeçari me iniciale R.B., është arrestuar në Elbasan, ndërsa policia i ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale, mjetin me të cilin dyshohet se autori është larguar nga vendi i ngjarjes. Gjithashtu i është sekuestruar dhe celulari.
Njoftimi i policisë:
Kapet dhe vihet në pranga, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, njëri nga autorët e ngjarjes së ndodhur më datë 03.10.2023, ku në rrugën “Bardhok Biba”, u godit me sende të forta administratori i një portali.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për identifikimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të ngjarjes së ndodhur më datë 03.10.2023, ku në rrugën “Bardhok Biba”, disa persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me sende të forta shtetasin Gj. Z., (adminiatrator i një portali), kanë vijuar veprimet e thelluara hetimore për dokumentimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore, të autorëve të dyshuar.
Si rezultat, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Elbasan, në Elbasan, u kap dhe u ndalua shtetasi R. B., 31 vjeç, banues në Elbasan.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti me të cilin dyshohet se 31-vjeçari është larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe aparati i tij celular.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.