
Ish-deputeti i PD-së, Dashnor Sula ka reaguar për protestat e tetë ditëve të fundit në Shqipëri, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin dhunën dhe të vijojnë të kërkojnë të drejtat e tyre përmes protestave paqësore.
Sot ai është kryeinspektori i Përgjithshëm dhe në reagimin e tij, shprehet se i ka ndjekur me shqetësim zhvillimet e ditëve të fundit, ndërsa thekson se e drejta për të protestuar është një element thelbësor i demokracisë. Ai nënvizon se pakënaqësitë nuk duhet të shndërrohen në akte dhune, duke paralajmëruar se ato mund të dëmtojnë edhe kauzat që nisin nga kërkesa legjitime.
“Një padrejtësi nuk mund të ndëshkohet me një padrejtësi edhe më të madhe”, shprehet kreu i Inspektoratit të Përgjithshëm, i cili u bën thirrje protestuesve të mos lejojnë që zemërimi të marrë përmasa të pakontrollueshme. Sula ndalet edhe te përplasjet mes demonstruesve dhe Policisë së Shtetit, duke kujtuar se si protestuesit, ashtu edhe efektivët kanë familje që i presin në shtëpi.
“Të rinjtë që dalin në protestë duhet të kenë garancinë se do të kthehen shëndoshë e mirë në shtëpitë e tyre. Njësoj si protestuesit, edhe punonjësit e Policisë së Shtetit kanë familje që i presin dhe të drejtën për t’u kthyer pranë tyre në fund të ditës.
Prandaj, kjo është një thirrje që më buron nga thellësia e shpirtit për të gjithë ata që janë në shesh: të shmangin dhunën, të mos lejojnë që zemërimi të marrë përmasa të pakontrollueshme dhe të mos e zëvendësojnë fuqinë e argumentit me akte brutale. Argumentet e qytetarëve kanë shumë më tepër peshë dhe zë sesa dhuna”, shkruan Sula.
