Disa banka dhe ATM janë shkatërruar, AAB tregon për depozitat monetare dhe ka një apel për qytetarët
Degë bankare dhe ATM janë dëmtuar në Tiranë nga revolta studentore, që prej 3 ditësh e ka kthyer vendin sisituatë lufte. Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), thotë se për arsye sigurie, një pjesë e bankave kanë kufizuar përkohësisht shërbimet në degë dhe kanë reduktuar oraret e punës. Në një njoftim për publikun, AAB sqaron se zhvillimet kanë ndikuar në ofrimin e shërbimeve bankare, duke bërë që në disa raste klientët të mos marrin shërbimin me kapacitetin dhe standardin e zakonshëm. Shoqata dhe bankat anëtare u kanë kërkuar mirëkuptim klientëve për vështirësitë dhe vonesat e shkaktuara nga kjo situatë, ndërsa kanë theksuar se aktiviteti do të vijojë në varësi të kushteve dhe vlerësimeve të sigurisë. AAB u bën thirrje qytetarëve që përpara se të paraqiten në degët bankare, të kontrollojnë njoftimet zyrtare në faqet e internetit dhe kanalet e komunikimit të bankave të tyre. Gjithashtu, klientët inkurajohen të përdorin shërbimet bankare digjitale për pagesa, transferta dhe transaksione të tjera që mund të kryhen në distancë.
Njoftimi i plotë
Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), duke ndjekur me vëmendje situatën e krijuar gjatë protestave të ditëve të fundit, informon publikun se disa degë bankare dhe ATM janë prekur nga veprime që kanë shkaktuar dëme materiale.
Për shkak të zhvillimeve në terren dhe me prioritet sigurinë e klientëve dhe të punonjësve, një pjesë e mirë e bankave kanë operuar përkohësisht me numër të reduktuar degësh dhe/ose me orar të kufizuar. Në raste të caktuara nuk ka qenë e mundur që klientëve t’u ofrohej shërbimi me kapacitetin dhe standardin e zakonshëm. AAB dhe bankat anëtare kërkojnë mirëkuptimin e klientëve për çdo vështirësi apo vonesë të shkaktuar nga kjo situatë e jashtëzakonshme.
Bankat do të vijojnë aktivitetin sipas kushteve dhe orareve të përcaktuara nga secila prej tyre, në varësi të situatës dhe vlerësimeve të sigurisë. Ftojmë klientët që, përpara se të paraqiten në degë, të konsultojnë njoftimet zyrtare në faqet e internetit dhe kanalet e tjera të komunikimit të bankës së tyre.
Në të njëjtën kohë, klientët inkurajohen që, kur është e mundur, të përdorin kanalet bankare digjitale për kryerjen e pagesave, transfertave dhe transaksioneve të tjera të disponueshme në distancë.
AAB thekson se dëmet e evidentuara janë materiale dhe veprimet ndaj ambienteve fizike apo pajisjeve nuk cenojnë, në vetvete, depozitat e klientëve dhe funksionimin e sektorit bankar. Bankat vijojnë të zbatojnë masat dhe procedurat për ruajtjen e sigurisë, vazhdimësinë e aktivitetit dhe mbrojtjen e interesave të klientëve.
Sistemi bankar është një infrastrukturë thelbësore për qytetarët, bizneset dhe ekonominë shqiptare dhe një kontribues i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, nëpërmjet kreditimit të familjeve dhe sipërmarrjeve, lehtësimit të pagesave dhe transaksioneve, punësimit dhe kontributit në të ardhurat në buxhetin e shtetit. Prandaj të gjithë bashkë të ruajmë sistemin bankar dhe atë financiar si e mirë e përbashkët, të mos sulmohen degët e bankave dhe objektet e tjera financiare.
Bankat mbeten të angazhuara për vijimësinë e shërbimit normal sa më shpejt që kushtet e sigurisë ta lejojnë, duke vlerësuar me prioritet mbrojtjen e klientëve, punonjësve dhe infrastrukturës bankare.

