“Do të vras, do të pres fytin”, 55-vjeçari shqiptar qëllon 8 herë me thikë gruan, në gjyq për tentativë vrasje
Plagë të thella që i kanë kushtuar 55-vjeçarit shqiptar rezident në Ponte di Piave, Treviso arrestin me akuzën për tentativë vrasjeje.
Ka nisur tashmë procesi gjyqësor ndaj shqiptarit, që mbrohet nga avokati Stefano Pietrobon, në gjykatën e Trevisos. Gruaja 49-vjeçare, edhe ajo shqiptare është mbrojtur nga avokati Guido Galleti, i cili kërkon një dëmshpërblim për ato që ka përjetuar e dhunuara.
Ngjarja ka ndodhur më 7 maj të këtij viti. Pasi çifti ishte martuar në Shqipëri dhe kishin ardhur në Itali, ishin divorcuar për arsye se 55-vjeçari kishte gjetur një tjetër partnere italiane, nga e cila më pas është ndarë para se të firmoste një divorc të dytë.
Por të dy ishin kthyer sërish bashkë disa vite më parë dhe ishin transferuar në Ponte di Piave.
Që në muajt e parë bashkëjetesa ka pasur sherre të vazhdueshme, edhe për motive të rëndomta.
Fyerje, kërcënime dhe ndoshta ndonjë shpullë por jo më shumë. Deri natën e ngjarjes, ku shqiptari ka kaluar çdo kufi. Sipas prokurorisë, burri i verbuar nga inati, e kapi partneren e tij nga flokët dhe e tërhoqi me forcë në garazh. Sapo e ka futur brenda ai ia ka përplasur kokën pas një mobiljeje duke i bërtitur: “Do të vras, do të pres fytin!”.
Nga kërcënimet verbale ka kaluar tek veprat: ka kapur një mjet prerës me teh rreth 6 cm dhe ka nisur të godasë gruan. 8 prerje i janë konstatuar në fytyrë, në qafë dhe në gjoks. Plagët thuhet në aktakuzë, i kanë shkaktuar gruas një hemorragji dhe një shok hypovolemic (shok hemorragjik ku humbet 20 përqind të gjakut në trup).
49-vjeçarja, ashtu e gjakosur ka arritur të shpëtojë nga duart e burrit dhe ka dalë nga garazhi duke kërkuar ndihmë tek një fqinj që më pas ka lajmëruar policinë.
Karabinierët kanë ndërhyrë brenda pak minutash dhe kanë arrestuar 55-vjeçarin shqiptar, ndërsa gruaja ishte dërguar në spitalin e Oderzos. Tashmë ai do të gjykohet për ‘tentativë vrasjeje’.
/BW

