Dosja/ Ngjarjet në Greqi, si u arratisën shqiptarët dhe përleshja 30 minuta me policinë
Prokuroria për Krime të Rënda ka dërguar për gjykim kërkesën ndaj shtetasit Klement Çala, i akuzuar për veprat penale të “Vrasjes me dashje të punonjësit të policisë”, e mbetur në tentativë dy herë. Gjithashtu edhe për veprat penale të krijimit të organizatës kriminale, largimit nga burgu dhe armëmbajtje pa leje, për ngjarjet e ndodhur në burgun e Trikalas në Greqi, në mars të vitit 2013.
I pandehuri, së bashku me disa të burgosur të tjerë, ndër të cilët edhe Ilir Kupa dhe Fatos Sulaj, të dënuar tashmë në Shqipëri për këtë ngjarje, kanë organizuar dhe realizuar arratisjen nga burgu dhe kanë tentuar të vrasin dy prej policëve roje të atij institucioni. Që pas arratisjes nga burgu, nuk është bërë i mundur arrestimi i tij dhe autoritetet greke kanë kërkuar transferimin e procedimit penal ndaj tij në Shqipëri. Hetimi u zhvillua nga Prokuroria për Krime të Rënda, në mungesë të të pandehurit.
Arratisja dhe përleshja me policinë greke
Në bazë të hetimeve, ka rezultuar se: “Më datë 22.03.2013, persona të panjohur që kishin hipur në një makine tip VAN, i janë afruar territorit rrethues të burgut dhe pasi janë diktuar nga policët e shërbimit të burgut, kanë dalë nga automjeti, duke mbajtur armë dhe bomba dore. Me përdorimin e tyre kanë qëlluar kundër policëve dhe gardianëve të jashtëm të burgut”.
“Përleshja e armatosur ka zgjatur për rreth 30 minuta. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, disa të burgosur të pavionit C2 të burgut, kryesisht me origjinë shqiptare midis të cilëve dhe shtetasi nën hetim Klement Çala, të cilët me parë kishin prerë kangjellat e dritares, kanë dalë në territorin e brendshëm të burgut, janë ngjitur në tarracë duke përdorur shkallë të sajuara dhe të përshtatura dhe kanë dalë nga burgu duke kapërcyer edhe rrethimin e jashtëm”, vijon njoftimi i prokurorisë.
Kjo e fundit ka shtuar se a rezultuar se disa nga të burgosurit e arratisur janë larguar drejt godinave dhe të tjerë janë larguar pasi kanë hipur në automjetin e tipit VAN. “Automjeti me të cilin ata janë larguar, është gjetur më pas i djegur në një zonë bujqësore dhe ka rezultuar se ishte denoncuar i vjedhur në dt. 19.03.2013. Në ngjarje kanë mbetur të plagosur dy prej gardianëve të burgut dhe një prej të burgosurve shqiptarë, shtetasi E. Sinani i cili më pas ka gjetur vdekjen në dt. 02.07.2013, si rezultat i plagëve me armë zjarri”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Ndërkohë shtetasi Klement Çala nuk është kthyer më në burgun ku vuante dënimin dhe ndaj tyre, nga Gjykata e Shkallës së Parë Trikala, është nxjerrë urdhri i arrestit nr. 41/2013.
Hetimet
Nga materialet e dërguara ka rezultuar se në Greqi shtetasi Klement Çala ka qenë në ndjekje penale, si i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale të parashikuara nga Kodi Penal grek dhe konkretisht “Vrasjes me dashje të kryer në bashkëpunim”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Kanosje për shkak të detyrës, të kryer në bashkëpunim” të parashikuar nga neni 238 e 25 i Kodit Penal.
Gjithashtu akuzohet edhe për veprat penale si “Vjedhje me dhunë të kryer në bashkëpunim, të mbetur në tentativë”, “Vjedhje me armë të kryer në bashkëpunim”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr, të kryer në bashkëpunim”, të “Organizatës kriminale”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Në përfundim të hetimeve për ngjarjen e ndodhur në burgun e Trikalës, Prokuroria për Krime të Rënda e akuzon të pandehurin Klement Çala për:
– “Vrasjes me dashje e kryer ndaj punonjësit të policisë”, mbetur në tentativë ndaj gardianit të burgut Karras Konstatinos;
– “Vrasjes me dashje e kryer ndaj punonjësit të policisë”, mbetur në tentativë ndaj gardianit të burgut Dhimitros Michail;
– “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”;
– “Krijimi i Grupit të strukturuar Kriminal”;
– “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar Kriminal”;
– “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.

