Drama e Bulqizës, emisioni italian i parapriu tragjedisë së sotme
Emisioni ”Le Iene” publikoi pak ditë më parë dokumentarin e shumë diskutuar, në të cilën pasqyrohej varfëria ekstreme në Bulqizë dhe shitja e kromit nga fëmijët e qytetit, që punojnë në kushte të rënda për të ndihmuar familjet në moshë fare të vogël.
Në reportazhin e publikuar nga media italiane, disa fëmijë dëshmonin me zë dhe figurë se kjo ishte një mënyrë për të ndihmuar ta kalonin varfërinë dhe një ditë më shumë. Vetë gazetarja italiane Alice Martinelli i shoqëroi fëmijët përgjatë një dite pune me mineralet, që ndonëse është më shumë se e rrezikshme, për ta është kthyer në rutinë.
![]()
Këto ditë ne mediat e fokusuam vëmendjen tek reagimi i kryeministrit Rama, i cili ndonëse fillimisht e quajti si ”reportazh të ndyrë”, e pranoi se një cilësim i tillë ishte gabim- harruam ngjarjen e vërtetë. Jetën e punëtorëve të rinj në Bulqizë.
Dhe si për ironi të fatit, vdekja e 20-vjeçarit ditën e sotme i cili nuk i shpëtoi dot masivit të gurëve që ranë mbi të, ishte një thirrje për t’i kushtuar rëndësi problemit real, atij me të cilin çdo ditë përballen qindra familje dhe që kohë pas kohe faturon jetë njerëzish.
Muajin e kaluar, një 30-vjeçar humbi gjithashtu jetën pasi një masiv gurësh ra mbi të dhe në vetëm 6 muajt e fundit janë bërë 4 aksidente të tilla, të cilat kanë përfunduar me tragjedi.

