Dyfish nga 2013, tani çdo shqiptar ka 4100 euro detyrime ndaj shtetit
Pjesa që çdo shqiptar ka nga totali i detyrimeve të shtetit, ka pësuar rritje të ndjeshme e me ritme të shpejta vitet e fundit.
Bazuar në borxhin publik të raportuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, përfshirë edhe Eurobondin, çdo shqiptar ka rreth 4100 euro borxh. Kjo vlerë është gati dyfishuar në krahasim me 2013-n, vit në të cilin detyrimet për frymë ishin në kuotën e 2500 eurove. Kjo do të thotë që për një familje me 4 anëtarë, borxhi arrin vlerën e 16 mijë e 400 euro.
”Ndikojnë edhe faktorët demografikë, por rritja e borxhit ka vijuar pa u ndalur këtë periudhë. Në ndryshim nga vendet e rajonit ne kemi përjetuar edhe tërmetit. Por duhet të theksojmë që edhe performanca e ekonomisë nuk është aty ku duhet të ishte”, thotë studiuesi Flobenc Dilaveri.
Qeveria mbylli po ashtu edhe procesin e emetimit të eurobondit. Ku u siguruan 650 milionë euro, ndërkohë që shuma e kërkuar nga qeveria ishte 500-700 milionë euro. Ky borxh është marrë për një periudhë 10-vjeçare, ndërsa interesi me të cilin është siguruar është 3,75% dhe kupon 3,5%.