E braktisur dhe abuzuar, por ia doli

Me një të kaluar të hidhur, braktisjesh e abuzimesh, Fatjona 29-vjeçare është e vendosur të ndërtojë jetën e saj. Tashmë është punësuar dhe tregon se kush ia hapi derën dhe nuk e la vetëm, në mes të katër rrugëve. ”Ndjehem shumë e kënaqur. Ndjehem si në shtëpinë time. Më kanë mësuar si të sillem me shokët e shoqet e të integrohem me të tjerët. Kam bërë kurs rrobaqepësie. Falënderoj veçanërisht drejtorin Arlindin që më ka punësuar këtu!”, tregon Fatjona.

Ditët e saj kalojnë plotësisht në ambientet e kësaj qendre që është kthyer në një vatër të ngrohtë familjare për të dhe 36 fëmijët e të rinjtë nga mosha 4-25 vjeç, që marrin shërbime në këtë qendër rezidenciale. “Fatjona ka 6 vite që merr shërbim këtu dhe ajo mori fillimisht të gjitha shërbimet që i takojnë përfituesve. Efekti te ajo ishte shumë i madh. Ajo mori një zhvillim të theksuar, u përshtat, integrua dhe u aftësua dhe ne të gjithë e pamë të arsyeshme që ajo duhej të punësohej”, tha Arlind Vata, drejtor i Qendrës së Zhvillimit Rezidencial Durrës

“Fatjona ka dëshirë të njohë prindërit e saj biologjikë. Ka nevojë të njohë nënën, të ndjejë ngrohtësinë e saj. Ajo e di emrin e prindërve, po nuk e di ku ka lindur. E kanë dërguar fillimisht në Vlorë e më pas në Sarandë. Nëse na ndihmoni është një meritë për ju e për ne që dhe ajo të jetë si të gjithë të tjerët. Asaj nuk i mungon asgjë, vetëm dashuria prindërore”, tha Bedrie Gera, edukatore. Thuajse gjysma e atyre që marrin shërbim në këtë qendër rezidenciale nuk i njohin prindërit. Por emisioni “Dua të të bëj të lumtur” e ka ngacmuar më shumë Fatjonën për të gjetur prindërit e realizuar ëndrrën.

“Kam dëshirë të shkoj te emisioni “Dua të bëj të lumtur” që të gjej nënën, mamin dhe babin! Dua t’i kërkoj e t’i gjej! Për herë të fundit nuk i kam parë fare se më kanë lënë që të vogël, ndaj dua që t’i shoh. Më ka marrë malli shumë për ta. Mbase janë në Itali e dua të shkoj me ta në Itali, ose të rrijë me gjyshërit në Tiranë”, shprehet Fatjona. “Fatjona pavarësisht se është punësuar, rrogën e ka modeste dhe nuk mund të jetojë e të blejë një shtëpi me të. Shpresoj ta ndihmojnë e ta bëjmë Fatjonën të lumtur”, thotë Bedire Gera. /Top Channel/

SHKARKO APP