Edi Rama kërkon ndjesë në facebook
Si rrallë herë, kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën e sotme me një postim që në brendi ka një mesazh të trishtë. Kreu i qeverisë ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta e shkrimtarit Kasëm Trebeshina. Mes rrjeshtave, Rama tregon se shkrimtarin e njohu në kohën e ndërrimit të dy epokave, kur të vërtetat i thoshte hapur.
“Mirëmëngjes dhe lejomëni të ndaj me ju trishtimin për ndarjen nga jeta të Kasëm Trebeshinës, një njeriu krejt të posaçëm, shqiptar kokëfortë si pakkush dhe i fortë si më të rrallët e këtij vendi në mbrojtje të lirisë e të ideve të veta, të cilin pata fatin ta njoh në kohën e ndërrimit të epokave, kur i thoshte të vërtetat e veta me mprehtësinë e një shpate të pathyeshme. Ndjesë dhe një ditë të mbarë të gjithëve”, shkruan Rama në profilin e tij në Facebook.
Kasëm Trebeshina u nda nga jeta më 6 nëntor, në moshën 91-vjeçare. Gjatë viteve të fundit ai jetonte në Ankara të Turqisë pranë vajzës, ndërsa ceremonia mortore iu rezervua vetëm një rrethi të ngushtë familjarësh.


