Edi Rama reagon pas operacionit: S’gjej fjalë për t’ju falenderuar, kthehem me ju shumë shpejt

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas daljes nga spitali ku dhe dy ditë më parë iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Përmes një postimi në “Facebook”, kryeministri ka falenderuar të gjithë ata që u interesuan për shëndetin e tij përgjatë këtyre ditëve si dhe një falenderim special ka për mjekët dhe infermierët e QSUT.

Shefi i qeverisë njofton se ditën e sotme e ka lënë spitalin dhe gjendja e tij shëndetësore është e mirë.

“Një falenderim nga zemra kujtdo prej jush që këto ditë është interesuar për shëndetin tim.

Falë ekipit të përkushtuar mjekësor dhe pas ndërhyrjes së suksesshme, sot e lashë spitalin për të vazhduar protokollin e rikuperimit në shtëpi dhe pa mundur të gjej dot fjalët e mjaftueshme për t’i falenderuar mjekët e infermierët për përkujdesjen e tyre.

Besoj se do të kthehem shpejt mes jush dhe edhe njëherë shumë faleminderit për mbështetjen tuaj.

Ju dua shumë, Edi”, shkruan Rama.

Kryeministri Edi Rama mëngjesin e sotëm la spitalin ku mbrëmjen e së dielës iu nënshtrua një operacioni për heqjen e apendisitit.

SHKARKO APP