Elbasan, ura drejt shembjes, jeta e banorëve në rrezik
Ura pranë fshatit Dërstilë që lidh disa zona me Elbasanin rrezikon të shembet dhe jeta e shumë banorëve vihet në rrezik. Ura në fjalë ka pësuar zhvendosje, dëmtime dhe shembje serioze dhe tashmë është kthyer në rrezik potencial për burim fatkeqësish. Gjithashtu kjo urë lidh Elbasanin me fshatin turistik të Gjinarit.
Duhet të kujtojmë se në vitin 1973 në të njëjtin vend autobusi i mësuesve doli nga rruga dhe shumë prej tyre humbën jetën. Pavarësisht situatës, ende askush nuk ka marrë masat për të shmangur ndonjë tjetër tragjedi të mundshme.
Drejtoria Rruga Ura në Elbasan, është mjaftuar duke vendosur disa shirita paralajmërues dhe njëkohësisht ka bllokuar lëvizjen e mjeteve në të dy kahet e saj. Rindërtimi kërkon fonde të konsiderueshme dhe deri atëherë “ura e tragjedive” është kthyer në makth për gjithë banorët e zonës së Shpatit.

