Emetimi i Eurobondit, Qeveria do të marrë 500 mln euro në tregjet ndërkombëtare
Përzgjidhen tre bankat që do të udhëheqin procesin e emetimit të Eurobondit prej 500 mln eurosh që do të merret në shtator.Komisioni i Posaçësm i Vlerësimit pasi ka shqyrtuar propozimet ka vendosur për institucionet financiare të cilat janë të njohura për shërbimet financiare në botë.
Komisioni i Posaçëm për Emetimin e Eurobondit ka përzgjedhur tre banka ndërkombëtare që do realizojnë emetimin e Eurobondit. Qeveria synon që të dalë në tregjet e huaja financiare në shtator, ku synon që të marrë një shumë prej 500 mln eurosh.
Mësohet se nga data 10 -26 korrik 2018, Komisioni Përzgjedhës i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, shqyrtoi të gjitha propozimet dhe në bazë të kritereve përzgjodhi bankat Citi Group, Banca IMI dhe Societe Generale që të veprojnë si rregullues kryesorë të përbashkët të transaksionit.
Transaksioni i fundit në tregjet ndërkombëtare ka qenë në vitin 2015, që i mundësoi vendit emetimin e 450 milionë eurove për 5 vjet.
Aktualisht Shqipëria synon emetimin e një Eurobondi në tregjet ndërkombëtare të kapitalit dhe blerjen e një pjese të Eurobondit ekzistues që maturohet deri në vitin 2020.
Komisioni i Përzgjedhjes i kushtoi vëmendje përvojës së ekipit të propozuar, kredencialeve të bankave në transaksione të ngjashme me fokus në rajonin e Europës Qendrore dhe Lindore, në aftësitë tregtare të bankës si dhe në angazhimin e saj ndaj vendit.
Gjithashtu u vlerësuan risqet e ndryshme të secilit propozim, cilësinë e rekomandimeve në lidhje me emetimin e obligacioneve të parashikuara dhe menaxhimin e detyrimeve.
Po ashtu në në përzgjedhje u morën për bazë edhe Komisionet, interesat dhe çdo faktor tjetër që mund të ndikojë në koston e përgjithshme.

