Erion Kristo: Në rast se ne integrohemi, partitë politike disintegrohen
Erion Kristo, pedagog dhe aktivist i shoqërisë civile, deklaroi në studion e Ditari në A2 se Shqipëria jo vetëm që është herët për Evropën, por nuk ka fare lidhje me të.
“Ne duhet ta kërkojmë integrimin si një busull orientuese të të gjithë veprimtarisë sonë shoqërore, për të pasur një Shqipëri të bukur për veten tonë, jo të varemi nga mideja e Merkelit apo Macronit. Ne nuk jemi vetëm herët për Evropën, por nuk kemi lidhje fare me atë. Të integruar janë vetëm disa segmente të shoqërisë: ndonjë element sportiv dhe artistik. Pjesa tjetër e sheh Evropën si mundësi punësimi, jo si busull orientuese të vlerave. Nuk ka faj Macroni që shqiptari nuk gjen rehat në vendin e vet”, u shpreh Kristo.
Më tej, Kristo shtoi se Shqipëria nuk ka bërë detyrat.
“Njerëzit nuk zgjidhin dot problemet reale të jetës së tyre, ç’më duhet mua Evropa? Të gjitha ato që i quajnë detyra të bëra, janë gënjeshtra. Vetting-u po funksionon, por a po mbillet ndonjë filiz në sistemin e drejtësisë? Nga kush do të zëvendësohen pemët e kalbura? Këtu ka procese të ndaluara në mënyrë automatike”, theksoi Kristo.
Sipas pedagogut, “në rast se ne integrohemi, partitë politike disintegrohen”.
“Në rast se ne futemi në Evropë, nuk jemi vetëm përballë krimit politik dhe krimit mafioz. Qytetari shqiptar do ketë ku të ankohet. Sot, për të zgjidhur problemet e thjeshta të jetës, njerëzit duhet të komunikojnë direkt me kryeministrin. Kjo do të thotë që kryeministri nuk ka bërë reforma reale”, tha Kristo.