“Eskobari” Klement Balili strehohet tek kryebashkiaku socialist?
Në formën pyetjeje, Arben Ristani ka zbuluar dyshimet e opozitës për vendndodhjen e Klemend Balilit. “A po strehohet Klement Balili në Tepelenë, nën kujdesin e kryetarit të bashkisë së Tepelenës, Termet Peci dhe nje shefi të PS-së në Tepelenë, Dino Selemi, aktualisht edhe drejtor i transportit të Gjirokastrës?” .
Ishte pyetja e deputetit të PD, që la të kuptohet se aksionet e policisë në Sarandë bëhen për shfaqje, sepse Balilin e mbrojnë vetë njerëzit e PS.
Deklarata e plotë e Arben Ristanit
Pas presionit të hapur ndërkombetar për arrestimin e Klement Balilit dhe pasi u prishën për pazarin e ditës, PS dhe LSI kanë nisur sherrin dhe shfaqjen e radhës.
Ndërkohë Klement Balili, i kërkuar nga gjysma e policive të Europës, nga DEA amerikane, i konsideruar nga CNN si “Eskobari i Ballkanit” është akoma i lirë, duke kapur peshk nga jahti i tij e duke bredhur nga dasma në dasëm.
Partia Demokratike e denoncoi emërimin e Klement Balilit në zyrat e shtetit, që në maj të vitit 2014. Ne bëmë publike, prova, fakte, se si në vitin 2006, ky trafikant ishte kapur në një aksion të forcave speciale me helikopter, me 750 kilogramë drogë.
Partia Demokratike kërkoi 36 herë në 2 vite e gjysëm largimin e Klement Balilit nga administrata shtetrore ku e emëruan Rama dhe Meta dhe venien e tij para drejtësisë.
E megjithatë, Rama dhe Meta, e mbajtën, e mbrojtën deri në fund, e mbrojtën edhe kur u shpall në kërkim nga Interpoli në maj të vitit 2016.
Sot, në vend që të lozin topa djegësi me Balilin, le ti përgjigjen një pyetje të thjeshtë: A po strehohet Klement Balili në Tepelenë, nën kujdesin e kryetarit të bashkisë së Tepelenës, Termet Peci dhe nje shefi të PS-së në Tepelenë, Dino Selemi, aktualisht edhe drejtor i transportit të Gjirokastrës?
Reagon Kryebashkiaku tepelenas
Menjëherë Tërmet Peçi është shprehur se do të bëjë një padi penale për shpifje, ndaj Ristanit.
“I ka ngelur ora mbrapa Ristanit. Unë skam asnjë lidhje me Klemend Balilin. Nëse ka fakte Ristani tua adresojë instancave përkatëse dhe jo të flasë kot”, është shprehur ai.
Ndërkohë që Ristani nga selia blu përmendi edhe emrin e Dino Selimit, kreut të PS-së dhe drejtorisë së Transportit në Gjirokastër.
“Balilin e njoh vetëm prej punës. Nuk kam asnjë lidhje tjetër me të. Deklarata e Ristani shpifje, unë jam i hapur për çdo gjë. ”, i është përgjigjur Selimi, Ristanit

