Falsifikoi dokumentet për lirimin e Lul Berishës, del sot në gjyq ish-drejtori i burgut të Durrësit

DURRES– Ka nisur sot gjyqi për ish-drejtorin e burgut të Durrësit, Astrit Kote, i cili u arrestua dy ditë më parë nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve në lidhje me lirimin e Lulzim Berishës.

‘BalkanWeb’ ka siguruar disa foto nga seanca gjyqësore, ku shihet Kote me avokatin e tij, teksa vazhdimisht mban kokën ulur. Ish-drejtorit do t’i komunikohet sot masa e sigurisë.

Pak para arrestimit të tij, ministri i Drejtësisë Ylli Manjani e shkarkoi Astrit Koten nga detyra.

Swiss Digital Desktop Reklama

HETIMI I PROKURORISE
Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Durrësit, rezulton se Drejtori i Institutit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (burgut) dhe juristi i këtij institucioni, kanë llogaritur në mënyrë të kundërligjshme kohën e qëndrimit të burgim të të dënuarit Lulëzim Berisha.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në bazë të shqyrtimit të dosjeve përkatëse të burgut Durrës, Prokuroria ka arritur në konkluzionin se të dënuarit Lulëzim Berisha duhej të kryente edhe të paktën 2 vjet e 7 muaj burgim, para se të mund të përfitonte nga parashikimet ligjore për lirimin me kusht. Prokuroria e Durrësit ka krijuar dyshime të arsyeshme se zyrtarët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elementet e veprave penale te “Shpërdorimi i detyres” dhe “Falsifikimi i dokumentave” të parashikuara nga nenet 186/3 dhe 248 të K.Penal.

LIRIMI I LUL BERISHES
Ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha fitoi lirinë me kusht më 6 dhjetor. Ndërkohë, Prokuroria e Durrësit po vijon hetimin lidhur me të tjerë persona të përfshirë në këtë çështje.

Prej ditësh vendimi i Gjykatës së Apelit Durrës për lirimin e Lulzim Berishës është bërë mollë sherri mes opozitës dhe maxhorancës, kjo edhe për shkak të publikimit të një letre të kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako që kërkonte lirimin e tij me garancinë se do punësohej në Bashki.

Ndërkohë më 15 dhjetor, Prokuroria e Durrësit nisi hetimet për lirimin nga qelia të Lul Berishës. Prokuroria po heton për praktikat gjyqësore kryesisht për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” që liruan Lulzim Berishën, ndërsa shqyrton vendimet e dhëna nga Gjykatat në lidhje me uljen e dënimit, pasi sipas prokurorisë së Durrësit ka dyshime për veprime në kundërshtim me ligjin. Gjithashtu do të hetohen dhe për praktikat administrative të ndjekura nga ana drejtuesve të Bashkisë së Durrësit, në bazë të të cilave është vendosur me lirimin me kusht të të dënuarit Lulëzim Berisha.
/BW

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?