Festat e Nëntorit, në Kamëz u mbajt festivali i 22 shkollave (FOTO)

Është mbyllur dje në festivali i shkollave 9-vjeçare të Kamzës në kuadrin e festave të Nëntorit. Bashkia Kamëz në bashkëpunim me Zyrën Rajonale Arsimore organizuan për disa ditë edicionin e katërt të festivalit të shkollave 9-vjeçare.

Kjo veprimtari u zhvillua në skenën e teatrit të Pallatit të Kulturës të qytetit të Kamzës. Në këtë aktivitet morën pjesë 22 shkolla 9-vjeçare. Materialet konkurruese ishin të larmishme, ku u përfshinë këngë, valle, interpretime me instrumente popullore, poezi si dhe interpretime të veprave letrare.

Kryebashkiaku Xhelal Mziu ka mbështetur këtë aktivitet ashtu siç i ka mbështetur vazhdimisht jo vetëm veprimtaritë e shkollave, por edhe të çdo institucioni që kontribuon në gjallërimin e jetës kulturore të qytetit.

Në këtë edicion të katërt të festivalit të shkollave 9-vjeçare, i cili u zhvillua në kuadër të festave të Nëntorit, shkolla “Halit Coka” zuri vendin e parë.

shkollat-e-kamzes-ne-festival-per-festat-e-nentorit

“Dua të falënderoj të gjitha shkollat 9-vjeçare të Kamzës, që për katër ditë rresht sollën një entuziazëm të paparë në qytetin e Kamzës, në këtë Pallat Kulture të mrekullueshëm. Dua të falënderoj përzemërsisht të gjithë ata që kontribuuan, pra nxënësit e këtyre shkollave konkurruese dinjitoze; dua të falënderoj të gjithë mësuesit, që punuan për të pasur këtë standard që u pa në këto katër ditë”, – u shpreh ndër të tjera z. Mziu.

Më tej në fjalën e tij ai inkurajoi të gjithë nxënësit e qytetit që të bëhen pjesë e veprimtarive të ndryshme të Pallatit të Kulturës.

“Dua të inkurajoj të gjithë nxënësit e këtyre shkollave për të qenë pjesë e Pallatit të Kulturës, që Pallati i Kulturës të mos jetë vetëm pjesë e një festivali, por në mënyrë të vazhdueshme çdo muaj, çdo javë, për të qenë pjesë e aktiviteteve jo vetëm kulturore, por edhe e aktiviteteve të tjera, për të cilat qyteti ynë ka nevojë dhe askush tjetër përveç jush nuk mund të sjellë më shumë se ju në këtë qytet”, – ishin fjalët e kreut të Bashkisë, i cili premtoi gjithashtu se dyert e Pallatit të Kulturës do të jenë të hapura për të gjithë.

festivali-i-shkollave-kamez

SHKARKO APP