Festat, policia apel qytetarëve: Zbatoni rregullat e qarkullimit
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë, që me rastin e festave të fundvitit, të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor për të shmangur aksidentet.
Specialisti i Drejtorisë së Policisë Rrugore, Ervin Dervishi, gjatë një deklarate për mediat, kërkoi mirëkuptim nga qytetarët, ndërsa u bëri thirrje të evitojnë pijet alkoolike dhe narkotike kur drejtojnë mjetin, në mënyrë që të shmangen aksidentet.
Gjithashtu Dervishi kërkoi që qytetarët që drejtojnë mjetin të vendosin rripin e sigurimit si dhe të bashkëpunojnë më policinë për shkeljet që konstatojnë.
“Qytetarët të tregohen të mirëkuptueshëm si dhe të evitojnë pijet alkoolikë dhe ato narkotike. Të shmanget përdormi i telefonit gjatë drejtimit të mjetit. Këmbësorët të respektojnë vendkalimet, çiklistët të përdorin mjetet mbrojtëse, si kaskat mbrojtëse të cilat shpëtojnë jetë. Policia Rrugore është në detyrë dhe funksion të plotë për mbarëvajtjen e qarkullimit të mjeteve. Bashkëpunoni me policinë dhe raportoni për shkeljet duke telefonuar në numrat në 112 dhe 129”, tha ai.
“I bëj thirrje qytetarëve të shmangin përdorimin e alkoolit, të vendosin rripin e sigurimit dhe mos shpejtojnë. Tirana është një kantier ndërtimi, kërkojmë nga drejtuesit e mjeteve të shmangin akset rrugore ku kryhen punime”, tha Dervishi.

