Flet babai i Fatjonit: Ma groposën të gjallë, u dënuan si tre hajdutë
Ky është reagimi tepër i indinjuar i Liman Barmeta babai i Fatjonit 23 vjeç i cili u vra dhe u gropos në 2012. Për këtë krim të rëndë Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e gjykatës së Burrelit duke dënuar Përparim Bojën me 25 vite burg, vëllanë e tij Astriti me 17 vite, ndërsa Fation Cani me 15 vite burg.
Liman Barmeta: “Ditën e sotme (dje), Gjykata e Apelit, e cila la në fuqi vendimin e gjykatës së Burrelit, ishte një vendim qesharak. Vendimi u dha sikur autorët të ishin hajdutë dhe jo tre kriminelë që në mënyrën makabre, çnjerëzore e të pashpirt e shkatërruan djalin tim në zgavrën e kraharorit dhe e groposën të gjallë me ekskavator duke i hedhur sipër disa metra kub zhavorr. Sipas ekspertizës, dhe pavarësisht se janë fshirë provat, djali im ka jetuar edhe nën zhavorr.
Në një intervistë të botuar sot në “Gazeta Shqiptare” Limani thotë se çështjen do e ndjekë deri në Strasburg dhe nëse nuk do të gjejë drejtësi atëherë do i kthehet Kanunit.
Liman Barmeta: Unë çështjen e djalit do ta ndjek deri në Strasburg. Nëse nuk japin drejtësi për djalin tim të vetëm, unë do të detyrohem, jo se kam dëshirë, por do t’i kthehem Kanunit. E përsëris se, do të detyrohem që t’i kthehem Kanunit që të vendos vetë drejtësinë mbi drejtësi. Unë kërkoj që drejtësia të vihet në vend për të mbyllur plagë e jo që ato të hapen më tej.

