Flet publikisht Mirela Ruko: Kishim kohë që e ndiqnim por ajo na përndjek me vendimet që merr
Studentja që ka qenë në qendër të medias, Mirela Ruko ka folur për herë të parë publikisht pas spërkatjes me salcë ndaj Ministres së Arsimit Lindita Nikolla. E ftuar mbrëmë në emisionin “Zonë e Lirë”, ajo është shprehur se: “Mua nuk më erdhi keq për të. Nuk kam kurrfarë marrëdhënieje emocionale me ministren Nikolla. E vetmja marrëdhënie emocionale që kam është me maturantët, që këtë vit ngelën pa shkollë”.
Mirela Ruko nuk pendohet, edhe pse siç thotë vendimi për t’i hedhur salcë në kokë ministres së arsimit nuk ishte i planifikuar edhe pse në disa portale mund të lexoje se ishte një plan. Ajo pranon se prej kohësh pjestarët e lëvizjes studentore po kërkonin një mundësi për të dalë në të gjitha mediat, që çështja e arsimit të dalë në pah.
“Ne kishim kohë që e ndiqnim”, pranoi ajo në “Zonë e Lirë”, “Por ajo na përndjek çdo ditë me vendimet që merr.”
Pas reformës në arsim, një numër i madh i tyre mbetën pa shkollë, ndonëse mund të kishin pasur rezultate shumë të mira në gjimnaz. Këtë vit universitetet private u futën si mundësi aplikimi, dhe ishin të vetmet shkolla që arritën të fitonin shumë maturantë.
Lidhur me këtë shqetësim që Ruko së bashku me aktivistë të tjerë kanë denoncuar, ajo mendon se reforma ishte çështje e pastër biznesi. Vetë Mirela ka pasur probleme ekonomike e familjare që nuk e kanë lejuar të vijojë studimet në master.
Ajo tregoi se i duhen 850 mijë lekë të vjetra që të mund të futet në provime. Megjithatë, ajo i tha Arjan Çanit se këtë protestë të pazakontë nuk e bëri për veten, por për të gjithë maturantët dhe studentët.
“Jemi në pritje të reagimit të ministres. Kërkesa kryesore që kemi është që ajo të japë dorëheqjen, dhe reforma e arsimit të anulohet”, u shpreh aktivistja.

