Fortlumturi Joani në ceremoninë për kreun e Ortodoksisë: Mesazhi ynë është paqe dhe unitet
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Joani, mori pjesë këtë të enjte në Imbros të Turqisë në meshën e zhvilluar me rastin e 65-vjetorit të shugurimit të parë në priftëri të Patriarkut Ekumenik Bartolomeu. Bartolomeu, i cili drejton Patriarkanën Ekumenike që prej vitit 1991, konsiderohet figura me autoritetin më të lartë shpirtëror në botën orthodhokse dhe ka një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet mes Kishave Orthodhokse.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Joani tha se gjatë viteve të shërbesës së Bartolomeut janë bërë përpjekje për forcimin e unitetit të Kishës Orthodhokse, duke përmendur edhe mbajtjen e Sinodit të Shenjtë dhe të Madh në Kretë. Ai vlerësoi gjithashtu rolin e Patriarkanës Ekumenike në mbështetjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Duke kujtuar periudhën pas diktaturës komuniste, Kryepiskopi tregoi se si Kisha e Shqipërisë kishte dalë nga përndjekja e rëndë me kisha e manastire të mbyllura ose të shkatërruara dhe me klerikë të burgosur, të internuar ose të martirizuar. “Kisha e Shqipërisë ishte përndjekur, shkretuar dhe dukej e vdekur; por nuk kishte vdekur. Kishat dhe manastiret e saj ishin mbyllur, plaçkitur, tjetërsuar ose shkatërruar. Adhurimi ishte ndaluar me ligj. Klerikët ishin burgosur, internuar, kishin pësuar përndjekje të egra ose ishin martirizuar. Një brez i tërë ishte rritur pa e njohur nga afër jetën liturgjike të Kishës. Në atë gjendje shkretimi dhe sprove të thellë, Kisha Mëmë dërgoi si Ekzark Patriarkal një punëtor të denjë të Ungjillit, Kryepiskopin e ndjerë Anastas, i cili do të bëhej ringritësi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”,- tha ai.
Joani kujtoi edhe figurën e Kryepiskopit Anastas, duke thënë se kontributi i tij mbetet një pikë lidhëse mes Kishës së Shqipërisë, Patriarkanës Ekumenike dhe Patriarkanës së Aleksandrisë. Kryepiskopi përcolli mirënjohjen e klerit dhe besimtarëve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë për Patriarkun Bartolomeu dhe tha se Kisha shqiptare do të vazhdojë të qëndrojë në krah të përpjekjeve për paqen, pajtimin dhe unitetin e Kishës.
”Sot sjellim përpara Jush dashurinë, mirënjohjen, lutjet dhe urimet e klerit dhe të popullit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, duke e përsëritur sot dhe do ta përsërisim gjithmonë: Kisha e Shqipërisë ka shijuar dhe vazhdon të shijojë frytet e mundimeve, të dashurisë dhe të lutjeve Tuaja. Dhe Ju sigurojmë se vendi që dëshirojmë të kemi është ai i Aaronit dhe i Horit, të cilët, kur duart e Moisiut rëndoheshin, i mbanin lart, njëri nga njëra anë dhe tjetri nga ana tjetër; pra, vendi i atyre që mbështesin, i atyre që punojnë për paqen, pajtimin dhe unitetin e Kishës. Për shumë vjet, Tërëshenjtëria Juaj”,-tha ai.
KOHA JONË SONDAZH

