FOTO/ Pagesat për koncesionet tejkalojnë investimet publike
Fatura e lartë e koncesioneve në shëndetësi ka nisur të dëmtojë investimet publike në këtë sektor. Të dhënat zyrtare tregojnë se për herë të parë, pagesat për koncesionet e shëndetësisë kanë tejkaluar investimet publike në spitale dhe qendra shëndetësore.
Më konkretisht, gjatë vitit të ardhshëm Ministria e Shëndetësisë do të paguajë 4 miliardë lekë ose 30 milionë euro për katër koncesionet në shëndetësi; hemodializën, check-up-in, sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale dhe koncesionin e laboratorëve.
I gjithë buxheti i investimeve publike në Shëndetësi për vitin 2018 është 2.9 miliardë lekë. Kjo do të thotë se fatura e koncesioneve është është 1.1 miliardë lekë ose gati 10 milionë euro më e lartë se sa buxheti vjetor i të gjitha investimeve që qeveria do të bëjë në spitalet dhe qendrat shëndetësore të vendit.

Qeveria është duke paguar më shumë për koncesionarët se sa investon në shëndetësinë publike, një situatë e cila tregon se fatura e koncesioneve tashmë ka nisur të gërryejë buxhetin e investimeve publike.
Në shumë zona të thella të vendit, shërbimi shëndetësor është gati inekzistent. Gjasat që kjo situatë të ndryshojë janë të pakta, pasi buxheti i ministrisë së shëndetësisë shkon për koncesionarët.
Për shkak të pagesave të larta për koncesionet spitalet publike, urgjencat, qendrat shëndetësore do të kenë më pak para vitin e ardhshëm.

