FOTO/ Shembja e masivit shkëmbor, hapet pas disa orësh rruga nacionale Burrel-Peshkopi
Është rihapur rruga nacionale Burrel-Peshkopi, e cila përgjatë gjithë natës ishte e bllokuar. Shkak i bllokimit ishte shembja e një masivi shkëmbor, i cili bllokoi të gjithë aksin.
Rruga u bllokua në vendin e quajtur te “Shkëmbi i kuq” në afërsi të urës së Matit. Kjo situatë shkaktoi kaos në qarkullimin e mjeteve, të cilat që prej mesnatës ngelën të bllokuara në të dyja korsitë.
Kujtojmë që ditën e djeshme, dje kryeministri Edi Rama zhvilloi në Dibër mbledhjen e qeverisë, ndërsa prezantoi aty projektin përfundimtar të Rrugës së Arbrit. Kreu i qeverisë tha se ky projekt, do të prezantohet sot në Dibër, ku do të mbahet edhe mbledhja e qeverisë pas asaj të mbajtur ditën e djeshme.
“Nesër (Sot), po nga Dibra do të bëhet prezantimi i projektit përfundimtar të Rrugës së Arbrit, tani që është përzgjedhur edhe kompania dhe Ministria e Infrastrukturës është në negociata për firmosjen përfundimtare të kontratës, duke garantuar financimin dhe mosndërprerjen deri në fund të punimeve për këtë rrugë, që për 27 vite me radhë është harruar. Ky është zotim madhor për një aks që në kënvështrimin tonë nuk i takon thjesht Dibrës. Me ndërtimin e Rrugës së Arbërit, Dibra bëhet De Facto pjesë e metropolit dhe krijohet një mundësi e madhe për zhvillimin ekonomik e social dhe integrimin e plotë të bashkësive me qendër Tiranën, por me shtrirje drejt Durrësit dhe Dibrës. Ky është një aks jashtëzakonisht i rëndësishëm kombëtar edhe në funksion të lidhjes me pjesën matanë kufirit, për të cilën kemi filluar diskutimet me qeverinë maqedonase”, u shpreh kryeministri Rama ditën e djeshme.




