FOTOSKANDAL/Radhë kilometrike në aksin Milot – Fushë Krujë
Prej më shumë se dy orësh qarkullimi i mjeteve në rrugën Milot –Fushë Krujë është bllokuar totalisht. Shkak janë bërë punimet që po kryhen për rikonstruksionin e këtij segmenti rrugor.
Investimi në këtë rrugë është i domosdoshëm, por ajo që nuk kuptohet është se përse punimet në këtë aks janë hedhur të vazhdojnë gjatë fundjavës. Dihet që në këtë rrugë çdo ditë kalojnë me mijëra mjete. Ndërkohë që gjatë fundjavës fluksi është i papërballueshëm edhe nëse nuk ka pengesa në rrugë. Ndërsa sot kjo rrugë është kthyer në një “ferr” për shoferët dhe pasagjerët që udhëtojnë.
Nuk kuptohet logjika absurde e firmës që kryen punimet, e cila gjatë javës rri pushim, ndërsa në fundjavë, në kulmin e lëvizjeve të mjeteve nxjerrë makineritë e rënda.
Radha e makinave, rreth orës 17:00 ka arritur në rreth 20 kilometra, duke shkaktuar kaos dhe duke penguar qarkullimin normal të mjeteve dhe mallrave.
Ajo çfarë e bën situatën alarmante dhe skandaloze është dhe fakti se nuk ka pasur asnjë punonjës të Policisë Rrugore për të normalizuar trafikun. Policët e Qarkullimit i sheh në çdo cep të rrugëve të tjera duke vënë gjoba, ndërsa kur duhen për të kryer detyrën e tyre parësore nuk shihen asgjëkund.

