Gjergj Luca vendos Viktor Zhustin në një statujë dylli në “Tempullin e Shpirtit”
Nga Albert Vataj
Ka vepra që nuk ndërtohen vetëm me gur, bronz apo mermer, por me kujtesë, mirënjohje dhe ndërgjegje. Një e tillë synon të jetë edhe “Tempulli i Shpirtit”, projekti më i ri i sipërmarrësit Gjergj Luca, i cili, përmes një videomesazhi drejtuar ndjekësve të tij, prezantoi një nga realizimet më domethënëse të kësaj galerie të veçantë, statujën prej dylli të aktorit të madh Viktor Zhusti.
Nuk është thjesht një figurë e modeluar në dyll. Është një homazh për artistin që, me talentin dhe përkushtimin e tij, mishëroi në ekran një nga rrëfimet më të fuqishme të identitetit shqiptar, Besën. Përmes kësaj statuje, Viktor Zhusti bëhet pjesë e një hapësire që Luca e quan “Tempulli i Shpirtit”, një muze i kujtesës, artit dhe ndërgjegjes kombëtare, kushtuar atyre vlerave që e kanë bërë Shqipërinë të nderohet në botë, tolerancës fetare, bashkëjetesës harmonike dhe humanizmit.
Ky tempull ngrihet si një altar kujtese për martirët e tri besimeve, katolikë, myslimanë dhe ortodoksë, klerikë e laikë që u përndoqën, u burgosën, u torturuan dhe u flijuan nga regjimi komunist, një pushtet që shpalli luftë kundër Zotit dhe u përpoq të shkatërronte çdo institucion shpirtëror e moral të kombit. Është një vend ku kujtesa nuk shërben për të ushqyer dhimbjen, por për të ruajtur të vërtetën, historinë, kujtesën.
Prania e Viktor Zhustit në këtë tempull nuk lidhet vetëm me madhështinë e tij artistike. Ajo lidhet me rolin e paharruar që ai interpretoi në filmin ikonik kushtuar Besës shqiptare, duke i dhënë jetë një babai që, në vitet e errëta të Luftës së Dytë Botërore, zgjodhi të sakrifikonte gjithçka për të mbajtur fjalën e dhënë dhe për të shpëtuar dy hebrenj nga përndjekja naziste. Në interpretimin e Zhustit, Besa nuk mbetet një nocion moral, por shndërrohet në frymëmarrje, në dhimbje, në dinjitet dhe në heroizëm.
Në videomesazhin e tij, Gjergj Luca e nis përshëndetjen pikërisht me Viktor Zhustin, të cilin e kujton jo vetëm si një kolos të skenës shqiptare, por edhe si mikun e familjes së tij dhe i tiji personalisht. Ky dimension njerëzor e bën edhe më të ndjerë nderimin që i kushtohet artistit.
Statuja është realizuar në Turqi nga dy mjeshtër të njohur të skulpturës në dyll, të cilët kanë arritur të rikrijojnë me një realizëm mbresëlënës tiparet dhe praninë e aktorit. Është sikur Zhusti vazhdon të jetojë mes vizitorëve, duke u bërë dëshmitar i një historie që nuk duhet harruar, e një të vërtete që nuk duhet lënë harrimit ta marrë dhe linçuesve ta shpërdorojnë.
Në qendër të këtij rrëfimi qëndron historia e Muhamedit, shqiptarit me emër mysliman dhe mbiemër katolik, i cili, gjatë terrorit nazist, zgjodhi të mos dorëzonte dy hebrenj që kishin gjetur strehë në shtëpinë e tij. Për të mbrojtur mikun dhe për të mbajtur Besën, ai pagoi çmimin më të rëndë, humbi bijtë e tij, të vrarë para syve. Është një nga ato histori ku kufijtë mes fesë, kombit dhe humanizmit treten përballë madhështisë së njeriut.
Gjergj Luca e ka përjetësuar këtë ngjarje edhe në një film të shkurtër prej gjashtë minutash, duke e kthyer në një dëshmi artistike të një prej kapitujve më fisnikë të historisë shqiptare, mbrojtjes së hebrenjve gjatë Holokaustit. Shqipëria mbetet një nga vendet e rralla në Europë ku numri i hebrenjve pas luftës ishte më i madh se para saj, sepse shqiptarët nuk pyetën për fenë apo prejardhjen e atij që trokiti në derë, ata njohën vetëm detyrimin e shenjtë të Besës.
“Tempulli i Shpirtit” synon të jetë më shumë sesa një muze. Ai është një institucion i kujtesës kombëtare, një vend ku arti takohet me historinë, ku sakrifica takohet me besimin dhe ku identiteti shqiptar rrëfehet përmes njerëzve që e mbajtën të ndezur dritën e shpresës në kohët më të errëta.
Sepse historia jonë nuk mbahet në këmbë vetëm mbi fitoret, por mbi virtytet. Dhe ndër to, tre shtylla ngrihen si themelet e identitetit shqiptar: feja, atdheu dhe Besa. Janë ato që i dhanë këtij populli forcën të mbrojë tjetrin edhe kur rrezikonte vetveten, ta nderojë fjalën e dhënë edhe kur çmimi ishte jeta, dhe ta ruajë dinjitetin edhe në kohët kur errësira dukej e pafund.
Rroftë Shqipëria! Rroftë Besa!
KOHA JONË SONDAZH

