Gjobat e policisë kur flet në celular në timon
Gjobat rrugore ishin në fokus të “Repolitix” këtë të mërkurë ku debatuan ekspertë të sigurisë rrugore dhe punonjës të policisë.
Policia Rrugore ka paralajmëruar aplikimin e gjobave të reja për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe kalimin e semaforit. Drejtori i Policisë Rrugore, Mitat Tola u shpreh se gjoba për celularin do arrijë 5-8 mijë lekë të reja, ndërsa ajo për semaforin 20-30 mijë lekë të reja.
“Sot gjoba për përdorimin e telefonit ka mbetur njësoj si në vitin 1993 kur nuk ekzistonte celulari, pra 10-15 mijë lekë të vjetra. Celulari është armë vrasëse. Për të kopjuar modelin italian e gjerman, duhet të shkojmë në masën e parë. Në draft kemi vendosir 50-80 mijë në herën e parë dhe nëse e përsërit brenda 3 muaj trefishohet deri në heqjen e patentës. Shkelja e semaforit shkon nga 200-300 mijë lekë, pra nëse kalon semaforin me të kuqe. Ne shkuam te një përdorim rripi masiv, gjoba për mosvendosje është 50-150 mijë lekë të vjetra. Ne kemi paraqitur dy drafte, një për të ndryshuar Kodin Penal për vrasjet në rrugë, do marrim dhe mendimet e ekspertëve”, u shpreh Tola.
Gjoba për përdorimin e telefonit
50-80 mijë lekë – Nëse përsëritet brenda 3 muaj trefishohet deri në heqjen e patentës
Gjoba për kalim të Semaforit
200-300 mijë lekë, nëse përsëritet tre herë brenda vitit, pezullohet patentata deri në një vit
Gjoba për mosvendosje të rripit
50-150 mijë lekë
Gjobat ndaj kalimtarëve, Tola: Të pa aplikueshme
Tola: Të gjobitësh një këmbësor, duhet të ketë kartën e identetetit me vete. Në mungesë të saj, ky person duhet shoqëruar në komisariat, të merren të dhënat dhe t’i vendoset një gjobë 10-15 mijë lekë dhe t’i vendosësh një afat 10 apo 15 ditë për ta paguar. Por t’i nuk do e kapësh më atë. Vrasëse janë kalimet në autostradën Tiranë-Durrës, ku kemi vazhdimisht viktima. Prandaj, nevojitet më tepër sensibilizim.

