Gjykata e Apelit ka 25 gjyqtarë nga 78 gjyqtarë që duhet të ketë ligjerisht
Ndërsa procesi i vetingut po shkon drejt fundit, sfida më e madhe mbetet plotësimi me gjyqtarë i gjykatave në të tre nivelet. Largimet e gjyqtarëve vijojnë, ndërkohë që prurjet nga shkolla e Magjistraturës kanë qenë të pamjaftueshme për të plotësuar shkarkimet.
Gjykata e Apelit ka 25 gjyqtarë nga 78 gjyqtarë që duhet të ketë, ose më pak se 1/3 e trupës gjyqësore.
Ekspertët e Qendrës INFOCIP vlerësojnë se kjo mesatare e punës së tyre është shumë e lartë, ndërsa plotësimi i vendeve bosh mbetet një nevojë e madhe.
“Që tani ne jemi përtej standardit të ngarkesës gjyqësore për secilin gjyqtar. Nga një llogari e thjeshtë për 30 mijë dosje që presin një vendim në Apel, për 300 ditë pune dhe 24 gjyqtarë, do të duhen minimalisht 4 vite punë për t’u trajtuar”, thotë zoti Shella.
Apeli i kryeqytetit u shndërrua nga marsi i këtij viti në të vetmen gjykatë Apeli kombëtare, pasi u shkrinë në të edhe 6 apele të rretheve, shkruan VOA.
Stoku i çështjeve që prisnin gjykimin në Apel për vitin 2022 ishte 23 mijë e 375 dosje. Ndërsa me dosjet e prapambetura që u sollën nga Apelet e tjera, që u shkrinë, e ngritën në 30 mijë numrin e çështjeve që presin një vendim nga Apeli i Tiranës.
Nga stoku prej afro 30 mijë dosje INFOCIP vlerëson se rreth 14 mijë prej tyre janë dosje themeli, dhe një pjesë e konsiderueshme rrezikojnë të dalin jashtë afatit të arsyeshëm të gjykimit, dhe kostot për ankimime të mundshme ndaj këtyre vonesave janë sërish miliona euro.
Ato që vonohen më shumë janë çështjet e themelit, dhe gjatë vitit 2022 ato zunë 47 për qind të vendimmarrjes në Apel.