“Gogoli” i drejtësisë – Ambasadori i Austrisë në Shqipëri: Problem për të vegjlit
Nëse një investitor i huaj pyet për Shqipërinë pranë ambasadës së tij në vendin tonë, më shumë të ngjarë do të frikësohet nga ajo çka i thonë për funksionimin e shtetit ligjor dhe sistemit të drejtësisë. Gjatë një forumi ekonomik të zhvilluar sot në Tiranë, ambasadori austriak, Johann Sattler, iu tha hapur sipërmarrësve nga vendi i tij se dobësia e shtetit ligjor është një problem madhor për investitorët e huaj. Nëse bizneset e mëdha, sipas tij, e kanë disi më të lehtë, për shkak të rëndësisë dhe përmasave të tyre, problemet më serioze i vuajnë bizneset e vogla dhe të mesme.
“Shqipëria ka një problem të veçantë me shtetin ligjor. Kjo zë një pjesë të madhe në punën time të përditshme. Përpiqem të bind politikanë se sistemi i drejtësisë duhet ndryshuar dhe ata janë tashmë të bindur për këtë. Për kompanitë më të mëdha gjërat janë disi më të lehta, sepse ato kanë kanalet e tyre të komunikimit, por për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme problemet në sistemin e drejtësisë krijojnë vështirësi serioze të të bërit biznes. Megjithatë, unë jam i bindur dhe them që po bëhet progres në këtë drejtim. Ka nisur një reformë e sistemit të drejtësisë dhe së shpejti do të bëhet vetting-u i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në përfundim të këtij procesi, besoj se do të ketë një sistem drejtësie më të mirë dhe një klimë më të favorshme për investime”, tha ambasadori austriak, Johann Sattler.
Forumi Bujqësor shqiptaro-austriak solli në Tiranë një grup sipërmarrjesh austriake, kryesisht të aktivitetit të blegtorisë. Përveç sjelljes së përvojës, qëllimi ishte vlerësimi i potencialeve për biznes në Shqipëri. Në forum duhet të merrnin pjesë zëvendëskryeministrja, ministri i Bujqësisë dhe ai i Financave të Shqipërisë, por, askush prej tyre nuk ishte i pranishëm. Mesazhet e qeverisë shqiptare u përcollën nga ministrja e shtetit për mbrojtjen e sipërmarrjes, Sonila Qato.
“Marrja e një shembulli të vendit tonë nëpërmjet ngjashmërive që kanë strukturat e sipërmarrjes në Austri do të ishte një potencial shumë optimal për zhvillimin, sidomos të zonave malore të vendit tonë, zona potencialisht të zhvilluara apo të dedikuara për zhvillimin e blegtorisë, por edhe të agroturizmit. Ndaj, duke patur si model edhe mënyrën austriake të të bërit biznes në këto fusha, do të ishte vërtetë një pikë kontakti shumë e rëndësishme dhe një model apo një shembull shumë i rëndësishëm për ekonominë tonë, sidomos për zhvillimin e zonave rurale dhe zonave malore të vendit, si në turizëm, por edhe në blegtori”, tha ministrja Qato.
Ndërkohë që kërkojnë nga ambasadorët angazhim në drejtim të diplomacisë ekonomike, anëtarët e qeverisë shqiptare nuk janë shumë korrektë me axhendën e tyre, edhe kur investitorë potencialë vijnë në Shqipëri, të sjellë nga dikush tjetër. Mungesa e ministrit Peleshi ishte e justifikuar me një vizitë në Bruksel, ndërsa organizatorët e forumit nuk kishin ndonjë shpjegim për mungesën e zëvendëskryeministres dhe ministrit të Financave.

