Guvernatori Sejko: Siguria kibernetike, shtyllë kyçe për stabilitetin financiar

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, theksoi rëndësinë në rritje të sigurisë kibernetike gjatë fjalës së mbajtur në samitin e Sigurisë Kibernetike Izrael-Shqipëri, duke e cilësuar atë një komponent kritik për stabilitetin financiar dhe sigurinë kombëtare. Sejko u shpreh se rreziku kibernetik është tashmë pjesë e realitetit të përditshëm, në një kohë kur tensionet gjeopolitike dhe zhvillimet teknologjike kanë zgjeruar hapësirën e ekspozimit ndaj sulmeve. Sipas tij, transformimi digjital dhe përdorimi në rritje i inteligjencës artificiale në sektorin financiar e bëjnë edhe më të domosdoshëm forcimin e mekanizmave mbrojtës.

Guvernatori nënvizoi se ndërprerjet në funksionimin e sistemeve financiare apo rrjedhjet e të dhënave dëmtojnë besimin publik dhe reputacionin e institucioneve, duke kërkuar një qasje të re mbikëqyrëse që i jep prioritet rrezikut kibernetik, krahas atyre tradicionalë. Në këtë kuadër, ai bëri të ditur se Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë masash konkrete, përfshirë rritjen e kapaciteteve mbikëqyrëse, bashkëpunimin me institucionet përkatëse dhe zbatimin e standardeve më të mira ndërkombëtare për vlerësimin e rrezikut kibernetik.

Një nga instrumentet kryesore është metodologjia e vlerësimit të maturisë së sigurisë kibernetike, e ndërtuar me asistencën e Thesarit Amerikan, e cila përfshin 93 kontrolle në aspektet organizative, njerëzore dhe teknologjike. Raundi i parë i vlerësimit për sistemin bankar ka përfunduar, ndërsa aktualisht po vijon një vlerësim i dytë horizontal.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sejko theksoi se po punohet për përafrimin e kuadrit rregullator me atë të Bashkimit Evropian, në veçanti me rregulloren për qëndrueshmërinë operacionale digjitale (DORA), e cila ka hyrë në fuqi në janar 2025, në funksion të objektivit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE deri në vitin 2030. Në përfundim, Guvernatori nënvizoi se Banka ka investuar në mënyrë të vazhdueshme në ndërtimin e një infrastrukture të sigurt teknologjike dhe në rritjen e ndërgjegjësimit të stafit, duke garantuar reagim të shpejtë dhe efikas ndaj çdo incidenti kibernetik.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?