Hantavirusi në vëmendje, Alimehmeti: Janë regjistruar raste edhe në Shqipëri, por nuk ka vend për panik

Hantavirusi ka rikthyer shqetësimin në disa vende të botës pas raportimeve për raste infektimi, duke ngritur pikëpyetje nëse mund të kemi një tjetër pandemi globale. Megjithatë, mjeku Ilir Alimehmeti ka sqaruar se nuk ka arsye për panik, pasi bëhet fjalë për një virus të njohur prej dekadash nga komuniteti shkencor.

I ftuar në një emision televiziv, ai shpjegoi se Hantavirusi njihet që prej periudhës së Luftës së Koresë dhe transmetohet kryesisht nga minjtë. Sipas tij, virusi përhapet përmes kontaktit indirekt me sekrecionet ose ambientet e ndotura nga brejtësit, ndaj higjiena dhe shmangia e kontaktit me minjtë mbeten masat më të rëndësishme parandaluese.

Alimehmeti theksoi se, edhe pse në disa raste virusi mund të jetë i rrezikshëm dhe të shkaktojë komplikacione serioze, shumica e infektimeve kalojnë pa simptoma ose me shenja të lehta. Vetëm në nje numër të vogël rastesh gjendja mund të rëndohet dhe të ketë pasoja fatale

Swiss Digital Desktop Reklama

Ai sqaroi gjithashtu se mundësia e transmetimit nga njeriu te njeriu është shumë e kufizuar dhe kërkon kontakt shumë të afërt në ambiente të mbyllura. Për këtë arsye, sipas tij, Hantavirusi nuk ka karakteristikat e nevojshme për të shkaktuar një pandemi globale si COVID-19.

Swiss Digital Mobile Reklama

Mjeku bëri me dije se edhe në Shqipëri janë regjistruar raste të ngjashme në të kaluarën, veçanërisht me forma të etheve hemorragjike të lidhura me virusin e njohur si “virusi i Beogradit”, i cili qarkullon në rajonin e Ballkanit dhe transmetohet po ashtu nga brejtësit.

Në përfundim, Alimehmeti nënvizoi se Hantavirusi është një virus i studiuar prej më shumë se tre dekadash dhe se aktualisht nuk ekziston rreziku për një shpërthim pandemik, duke apeluar që qytetarët të mos bien pre e panikut.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush është problemi sot: Edi Rama apo Sali Berisha?