I dhanë Fazlliçit 1.5 mln euro për punime fiktive, zgjerohet hetimi për zyrtarët
Prokuroria e Tiranës zgjeron hetimin te zyrtarët dhe ish-zyrtarët që lejuan lëvrimin e 1.5 milionë eurove nga buxheti i shtetit në adresë të kompanisë së biznesmenit serbo-boshnjak, Damir Fazlliç.
Sipas hetimeve dhe një denoncimi të Hetimit Tatimor, ai ka përfituar 1.7 miliardë lekë apo 1.5 milionë euro padrejtësisht me anë të rimbursimit abuziv të TVSH-së, raporton “Panorama”.
Pagesa në fjalë është bërë nga Tatimet në Shqipëri për punime fiktive të pasqyruara në dokumentacion, por të pabëra realisht në zonën e Porto Romanos.
Zyrtarët në hetim i kanë plotësuar dokumentet sikur kanë kontrolluar investimet në fjalë dhe kanë firmosur se ato ishin kryer.
Në fakt, e gjitha ka qenë mashtrim, pasi në Porto Romano, sipas hetuesve, nuk është kryer asnjë punë nga kompania e Damir Fazlliçit, me përjashtim të lëvizjes së një sasie të vogël dheu.
Ky fakt është evidentuar nga ana e Prokurorisë së Tiranës, e cila ka nisur hetimet pas kallëzimit të bërë nga Drejtoria e Hetimit Tatimor në Tiranë.
Subjekti i përdorur për realizimin e kësaj skeme, sipas Prokurorisë ka qenë “Crown Acquisitions”, e regjistruar në gjykatë në datën 20 shtator 2005.
Rasti në të cilin ka ndodhur abuzimi, sipas Prokurorisë, ka qenë ndërtimi i terminalit për produktet e naftës në zonën industriale të Porto Romanos.
Pikërisht me këtë investim, dyshohet se veç 1.5 milionë eurove me rimbursim nga shteti shqiptar, Fazlliç ka përfituar edhe rreth 4 milionë euro kredi, duke futur projektin në fjalë si garanci bankare për këtë shumë.

