I vendosën eksploziv një objekti në ndërtim, policia arreston autorin e dytë
Policia e Lezhës vijon operacionin “Eksplozivi”, duke e çuar në dy numrin e të arrestuarve.
Në pranga ka rënë 21-vjeçari A. Stafuka, nga Fushë Kruja, pasi akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake” dhe “Kanosja”.
Sipas uniformave blu, më parë është vënë në pranga autori tjetër i dyshuar për vendosjen e një sasie eksplozivi në një objekt në ndërtim.
Njoftimi i policisë:
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, pas një pune profesionale hetimore, bënë të mundur identifikimin e një tjetër shtetasi të dyshuar për vendosjen e eksplozivit në një objekt në ndërtim në Shëngjin, më datë 19.11.2020.
Si rezultat i provave të grumbulluara, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit A. S., 21 vjeç, banues në Fushë Krujë.
Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin E. P. (i ndaluar gjatë operacionit “Eksplozivi”, në dhjetor 2020), më datë 19.11.2020, në Shëngjin, Lezhë, dyshohet të ketë vendosur në një nga kolonat e një objekti në ndërtim, në pronësi të shtetasit L. Gj., një sasi lënde plasëse, nga shpërthimi i së cilës u shkaktuan vetëm dëme materiale.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake” dhe “Kanosja”.