Investime të reja për Rajonin 6 në Elbasan, fokus te rrugët, shkollat dhe zhvillimi i turizmit
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, në vijim të turit të konsultimeve për buxhetin afatmesmë, ka zhvilluar një takim me banorët e Rajonit Nr. 6, ku janë diskutuar investimet e realizuara deri më tani, por edhe projektet që pritet të marrin jetë në vitet në vijim.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, kryebashkiaku Llatja u ndal tek puna e bërë në lagjet e këtij rajoni, duke theksuar ndërhyrjet për përmirësimin e infrastrukturës, heqjen e baltës në rrugët problematike, si edhe formalizimin e zonave informale. Ai theksoi se, megjithëse është bërë shumë punë, nevojat e komunitetit mbeten të shumta dhe investimet do të vijojnë.
Një nga projektet më të rëndësishme të prezantuara ishte hapja e rrugës së re që lidh zonën e Teqes me unazën kryesore të qytetit, e cila do të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin. Gjithashtu do të vijojë investimi në segmentin nga “Vasil Papamihali” drejt qendrës kryesore pranë Teqes, një aks i konsideruar me rëndësi për banorët e zonës.
Kryetari i Bashkisë bëri të ditur se paralelisht do të vazhdojnë investimet në arsim, ku vetëm gjatë këtij viti Bashkia Elbasan po investon mbi 1 milion euro në katër shkolla të qytetit, me qëllim përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe stafin arsimor.
Një tjetër fokus i diskutimit ishte edhe projekti i Kalasë së Elbasanit, i cili sipas Llatjas pritet të ketë ndikim të madh në zhvillimin ekonomik lokal dhe turizmin. Ai e cilësoi kalanë si një nga asetet më të rëndësishme të qytetit për tërheqjen e vizitorëve dhe zhvillimin e biznesit lokal.
Në takim u diskutua edhe mbi ecurinë e projektit të Auto Moto Parkut, ku aktualisht po përfundon infrastruktura dhe po mbyllet unaza lidhëse që do të krijojë akses direkt me zonën e “Borodin Mitarja”, ose lagjen e kinezëve dhe dalje drejt Urës së Lizës.
Banorët e Rajonit Nr. 6 ngritën gjithashtu shqetësime dhe sugjerime për problematikat e zonës, ndërsa kryebashkiaku garantoi se konsultimet për buxhetin afatmesëm do të vazhdojnë në çdo rajon të qytetit, me qëllim që investimet të jenë sa më pranë nevojave reale të komunitetit.

KOHA JONË SONDAZH

