Ish-shefi i SHIU: I nisim ushtarë në Afganistan dhe kthehen besimtarë
4 persona u arrestuan në Shkodër dhe masa të jashtëzakonshme u morën në ndeshjen kundër Izraelit, nga frika e një sulmi terrorist.
Sipas ish-shefit të SHIU-t , Ylli Zyla, në emisionin “Dritare me Rudinën” në “Vizion Plus”, Shqipëria është një rrezik potencial për të qenë objekt i sulmeve terroriste, porse ajo nuk është në gjendje që t’i luftojë siç duhet. Institucionet përkatëse duhet të investojnë më tepër në këtë sektor dhe të rrisin përgatitjen e njerëzve dhe pajisjen e tyre siç duhet.
“Kjo çështje u hiperbolizua shumë, prej masave ekstreme që u morën. Shqipëria është një rrezik potencial. Masat duhet të ishin proporcionale. Shërbimet e sigurisë nuk janë të përgatitura për një sulm asimetrik. Së pari është shkelja e të drejtave të njeriut. Shërbimi i Sigurisë duhet të kenë kujdes, të mos e kthejnë në bumerang. Shërbimet izraelite ishin ata që zotëruan dhe mbikëqyrën për 72 orë sigurinë. Sigurimet shqiptare dolën në prezencë dhe dolën në indiferencë. Media në këtë rast, nuk e ka artikuluar mirë çështjen, e ka ekzagjeruar pasi 4 të arrestuarve nuk u janë gjetur sende të ndaluara. Dua te bëj një apel që të merren masa nga institucionet përkatëse në kuadër të zhvillimit dhe sofistikimit të pajisjeve dhe mënyrave të survejimit. Shqipëria nuk është në gjendje t’i kontrollojë të gjitha rastet. Përmend këtu rastin e njerëzve që shkojnë në Afganistan, në kuadër të misioneve të bashkëpunimit me NATO, ushtarakët që rikthehen, konvertohen si myslimanë dhe praktikantë të besimit, kur atje kanë shkuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe jo në emër të fesë”, tha Zyla.

