Itali, ekzekutohen dy vëllezër shqiptarë në makinën e tyre
Makinë e kthyer përmbysi dhe e qëlluar me plumba. Brenda saj dy trupa të pajetë. Kështu raportojnë mediat italiane për një ngjarje të ndodhur në Canegrate, në provincën e Milanos.
Në natën mes të enjtes dhe të premtes, banorët e kësaj zone kanë qenë dëshmitar të një ngjarjeje kriminale. Policia vendase ka bërë të ditur se nuk ka të bëjë me një aksident rrugor, pasi në makinë ka shenja që është qëlluar me plumba.
Gjithashtu ka njoftuar se dy viktimat janë shtetas shqiptarë. Ata janë vëllezërit Agron Lleshaj 27 vjeç dhe Alban Lleshaj 24, rezident në Parabiago.
Një nga hipotezat e ngritura dhe për të cilën po hetohet, është se dy viktimat ishin duke u ndjekur nga një makinë tjetër, të cilët kanë qëlluar mbi ta.
Si pasojë e tentativës për t’u shpëtuar plumbave drejtuesi i mjetit ka dalë nga rrugë duke sjellë edhe përmbysjen e makinës tip “Polo Volkswagen”. Po sipas policisë italiane dyshohet se ngjarja ka të bëjë me larje hesapesh në trafikun e drogës.

