Jeton Lami flet për herë të parë për Ervis Martinajn: E lashë te karburanti në Vorë, më pas nuk e di si u zhduk!

Ervis Martinaj nuk dihet akoma, nëse është i gjallë apo e kanë zhdukur. Po hetohet, por gjë nuk po zbulohet.

Për herë të parë ish-agjenti i operacionales, Jeton Lami ka thyer heshtjen duke dhënë disa shpjegime të detajuara për sa i përket shoqërimit të Ervis Martinajt, por ka refuzuar të ketë dijeni për zhdukjen e tij.

Ai thotë se Martinajn e ka njohur 10 vite më parë, por thekson se nuk ka pasur miqësi apo lidhje të ngushtë.

Ervis Martinajn e kam njohur 10 vite përpara. Me atë nuk kam pasur asnjë miqësi apo lidhje të ngushtë. Megjithatë tre ditë para se ta shoqëroja në Durrës, e kam takuar rastësisht tek një ambient te Zogu i Zi. Më ka kërkuar ta shoqëroja.

E kam shoqëruar në drejtim të Durrësit dhe e kam dërguar në një hotel ku u takua me një mikeshën e tij. Të nesërmen kam shkuar sërish në Durrës, e kam marrë Ervis Martinajn dhe mikeshën e tij dhe i kam lënë në një ambient pranë një karburanti në zonën e Vorës. Aty, sipas informacioneve që kisha Ervis Martinaj do të bënte disa takime. Në atë moment jam shkëputur me të dhe nuk kam asnjë dijeni se çfarë ka ndodhur me të”, ka deklaruar për prokurorin Jeton Lami, raporton News24.

Ai pretendon se nuk ka asnjë lidhje me zhdukjen e Martinajt dhe se nuk ka asnjë informacion për të dhënë.

Por derisa ai ka dhënë vendin në një karburant në Vorë, prokuroria dhe policia kanë emra se kush mund ta ketë takuar aty. Natyrisht që ka edhe kamera të biznesit apo bizneseve të tjera, të cilat ndonëse kanë kaluar shumë muaj përsëri teknologjia e sotme e avantuar i zbardh regjistrimet e vjetra.

Gjithnjë nëse duan ta sqarojnë organet e policisë dhe drejtësisë.

Rëndësi ka që Jeton Lami ka filluar të flasë…

SHKARKO APP