Kapen shqiptarët që klononin kartat bankare në Itali
Pas një hetimi 2 vjeçar, Policia e Postës dhe Telekomunikacionit italian, ka shkatërruar një organizatë kriminale që merrej me klonimin e kartave të bankomateve, ndërhyrjen në pajisjet ATM dhe klonimin e makinave të vet shërbimit për shpërndarjen e karburantit.
Pas përfundimit të hetimeve, dy persona janë arrestuar ndërsa 40 të tjerë janë denoncuar në Torini, Cuneo dhe disa komuna të tjera të Piemontes, të cilët akuzohen se kanë bërë më shumë se 100 tërheqje të paligjshme të parave.
Sipas mediave italiane organizata kriminale përbëhej nga emigrantë rumunë, shqiptarë dhe italianë, disa prej të cilëve posedonin aftësi të larta dhe mjete teknologjike të sofistikuara.
Policia bazuar në ankesat e shumta të njerëzve të mashtruar, ishte fokusuar kryesisht në ATM e vendosura në zonat përreth kodrës së Torinos.
Anëtarët e grupit i kishin ndarë detyrat në varësi të kompetencave, si psh, ekspert i IT-së, specialist në klonimin e kartave bankare, shofer. Dikush tjetër merr me rindërtimin e komponentëve të ATM-ve.
Për 6 prej tyre, gjykatësi ka nxjerrë urdhër-arresti, ndërsa për 4 të tjerë hetimet vijojnë ende.
Gjatë kërkimeve të policisë në shtëpi, magazina dhe laboratorë që përdoreshin nga anëtarët e bandës, janë gjetur materiale dhe pjesë të pajisjeve ATM.
Ata pasi gjenin disa pjesë origjinale të pajisjeve të ATM-ve, i riprodhonin ato brenda laboratorëve të ndërtuar enkas, në mënyrë që brenda tyre të vendosnin hardwaret e nevojshme për klonimin e kartave dhe leximin e kodeve PIN.
Me këtë procedura banda kishte arritur të sigurojë të ardhura nga 1500-2000 euro për çdo kartë të klonuar.

