Kapet 1 ton kanabis, shkatërrohet grupi që blinte drogën në Shqipëri
Policia italiane ka sekuestruar së fundmi një sasi droge të vlerësuar 3 mln euro dhe ka arrestuar 6 persona të akuzuar për trafik droge në sasi të mëdha, në bashkëpunim me njeri-tjetrin.
Dëshmia e Salvatore Cristaudo, i cili ka bashkëpunuar me drejtësinë italiane, ka sjellë dy rezultate: Sekuestrimin e një ton marijuane, gati për t’u shpërndarë në sheshet e Catania-s, si dhe identifikimin e një grupi trafikantësh në gjendje për të blerë në Shqipëri sasi të mëdha droge, që ruhej në lagjen “Picanello” të Catania-s.
Hetimet, e koordinuara nga Anti-mafia e Catania-s, kanë zbuluar se në vend do të vinte një sasi e konsiderueshme droge. Gjatë operacionit, të kryer në 25 nëntor, të drejtuar nga policia e Catania-s dhe skuadra Anti-mafia, janë gjetur dhe sekuestruar në një kamion, 1.000 kg marijuanë. Droga ishte e ndarë në 33 paketime.

