Karakaçi: Kontrata për linjën Tiranë-Durrës-Aeroport, hap drejt një shërbimi modern hekurudhor
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi tha sot se projekti Tiranë-Durrës-Aeroporti i Rinasit është pjesë e një vizioni të gjerë për rivitalizimin dhe modernizimin e sektorit hekurudhor, dhe për ta kthyer hekurudhën shqiptare në një komponent funksional të sistemit kombëtar të transportit.
Gjatë takimit konsultativ me përfaqësues të kompanive të mëdha ndërkombëtare për Kontratën e Shërbimit Publik për transportin hekurudhor të udhëtarëve në linjën Tiranë–Durrës–Aeroporti i Rinasit, ministri Karakaçi tha se “ky projekt përfshin rehabilitimin e linjës ekzistuese, lidhjen e re me aeroportin, ndërtimin e stacioneve dhe elektrifikimin e tyre”.
“Punimet për rehabilitimin dhe stacionet tashme janë drejt përfundimit dhe komponenti i fundit i këtij projekti, elektrifikimi, parashikohet që të mbyllet brenda vitit 2027”, tha ai.
Më tej Karakaçi tha se “në sektorin hekurudhor kemi pasur shpesh shumë mangësi, në pjesën më të madhe sigurisht të trashëguara, por edhe për shkak të vështirësive që lidhen kryesisht me mundësitë e financimit të një sektori, që në gjitha botën kërkon fonde shumë të mëdha”.
“Gjithsesi vitet e fundit kanë shënuar një ndryshim rrënjësor edhe në këtë sektor. Shqipëria është duke ndërtuar një program të gjerë investimesh që synon të rikthejë dhe modernizojë rrjetin hekurudhor, duke e integruar gradualisht me rrjetet rajonale dhe evropiane”, theksoi Karakaçi.
Duke folur për Kontratën e Shërbimit Publik për korridorin e parë Tiranë-Aeroport-Durrës Karakaçi tha se ajo synon të krijojë kuadrin kontraktual për ofrimin e shërbimit të transportit hekurudhor të udhëtarëve, duke përcaktuar qartë detyrimin e shërbimit publik, standardet e shërbimit, përgjegjësinë e operatorit dhe mekanizmin e kompensimit.

