Kërpaçi: Qeveria po mashtron. Asnjë student nuk përfiton lehtësirat e garantuara me ligj nga karta e studentit
Lëvizja Socialiste për Integrim akuzon Ministrinë e Arsimit se po i mashtron studentët me shpërndarjen e kartave të studentit.
Për deputeten e LSI-së, Floida Kërpaçi, nuk ka sot asnjë të student që përfiton të drejtat dhe lehtësirat e garantuara përmes kartës së studentit, edhe pse një gjë e tillë i garantohet atyre me ligj.
Përmes një komenti në faqen e saj zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Kërpaçi deklaron se për këtë qeveri rinia është ZERO, e buxheti 2018 që po diskutohet këto dy javë në Kuvend, po ashtu, dhe kjo gjë duhet denoncuar e luftuar fuqishëm!
Reagimi i plotë i deputetes së LSI-së
“Sot studentët kanë kartë studenti”- kështu u shprehën (mashtruan) përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, sot në Komisionin e Shëndetësisë.
Karta e Studentit, ose “student card” siç e quan bota, garanton pa kosto fare ose me kosto të reduktuar, për të gjithë ata që janë duke ndjekur studimet universitare.
Në Evropë për shembull, moria e të drejtave është e larmishme, që nga aksesi falas në biblioteka, në muze, ulje deri në 30% për ushqim, veshje, libra, transportin publik, kinema, etj. Pra shteti brenda mundësisë së tij ja ben sa më të lehtë studentit jetën universitare, duke i dhënë mundësinë që të fokusohet te studimet e jo te vështiresitë financiare për të përballuar muajin.
I njëjti koncept, pavarësisht se cilat do të ishin lehtësitë duhet që sipas parashikimit në ligj të garantoheshin dhe për studentët në Shqipëri.
Nuk ka ASNJË student sot që gëzon këtë të drejtë! As kartën fizikisht, lëre më për të drejtat!
Pra krijimi i lehtësirave për studentët e të rinjtë në përgjithësi nuk ekziston si koncept. Pavarësisht se e kanë të drejtë me LIGJ!
Unë mund të etiketohem dhe si deputete e kazanit për shkak se ngre këto shqetësime për rininë, por për këtë qeveri rinia është ZERO, e ky buxhet po ashtu dhe kjo gjë duhet denoncuar e luftuar fuqishëm!
Mashtrojnë sy për sy dhe s’kanë as turp!
Ju qofshi!

