Këshilli Bashkiak Tiranë miraton propozimin e LSI
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, këshilltarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, propozuan një projekt-vendimin për ngritjen e një thertore publike në Tiranë.
Propozimi u bë nga Kreu i LSI-së së Tiranës dhe anëtari i Këshillit Bashkiak, Endrit Braimllari. Gjatë diskutimeve në mbledhje, Braimllari kërkoi që Bashkia e Tiranës të shtrijë investimet edhe në lagjet periferike të Tiranës.
Braimllari vlerësoi punën e Bashkisë së Tiranës në qendër të Tiranës me rregullimet në infrastrukturë dhe projektet e tjera ambicioze, por u shpreh se në takimet me qytetarët vihen re shqetësime që lidhen me zonat dhe lagjet në periferi, ku kërkohen investime dhe projekte konkrete.
Lidhur me miratimin e vendimit për thertoret publike, kreu i LSI-së Tiranë, Braimllari u shpreh se ky propozim ka ardhur pas dëgjesave të anëtarëve të LSI në Këshill me qytetarë, ekspertë dhe profesorë të bujqësisë dhe mjedisit. “Ky është një nga propozimet e dëgjesave të Grupit tē Këshilltarëve të LSI me ekspertë dhe Profesorë të Bujqësisë dhe Mjedisit”,-shprehet Braimllari.
Këshilltari i LSI-së, gjatë mbledhjes u shpreh se ky vendim për ngritjen e një thertore publike, i shërben qytetit për të qenë më i sigurt. “Qyteti ynë do jetë më i sigurtë dhe më i mbrojtur për shëndetin human dhe cilësinë e ushqimit dhe mishit”,- u shpreh ai.

