Rama takohet me prindërit e fëmijëve me aftësi ndryshe, propozon Këshillin Kombëtar dhe suport financiar për mësuesit ndihmës
Krijimi i një Këshilli Kombëtar për Fëmijët me Aftësi Ndryshe dhe mbështetje financiare shtesë për mësuesit ndihmës ishin dy nga çështjet e diskutuara në një takim të kryeministrit Edi Rama me një grup prindërish. Këta të fundit folën për vështirësitë që hasin dhe kërkuan të kenë më shumë mundësi për të kontribuar në përmirësimin e sistemit. ”Po mundohemi çdo ditë t’i rrisim me aftësitë e tyre më të mira, por edhe me kushtet më të mira, por sistemi na e ka bërë të vështirë dhe duam të kontribuojmë”, tha një prej prindërve, e cila ngriti edhe çështjen e këndeve sensoriale dhe dhomave burimore.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, tha se numri i mësuesve ndihmës është rritur nga viti në vit dhe se aktualisht raporti është një mësues ndihmës për çdo fëmijë me aftësi të kufizuara. Ajo foli edhe për krijimin në shkolla të klasave të dedikuara, ku fëmijët mund të qëndrojnë së bashku me mësuesin ndihmës kur kalojnë një moment të vështirë.
Rama kërkoi që për mësuesit ndihmës të ndërtohet një sistem trajnimi, ndërsa hodhi edhe idenë që ata të marrin pagesw shtesë. ”Duhet ndërtuar një sistem trajnimi dhe duhet parë mundësia që këtyre mësuesve t’u jepet një mbështetje ekstra financiare. Ata duhet të kenë një bonus mbi pagën”, tha Rama. Kryeministri propozoi gjithashtu krijimin e një këshilli konsultativ, ku prindërit të mund të ngrenë vazhdimisht problematikat me të cilat përballen. “Të organizojmë një Këshill që të jetë konsultativ, që të mblidhet rregullisht, të ketë një mikrosekretariat, dikë që mund të referojë probleme në kohë reale”, tha ai.
Takimi vjen rreth dy muaj pasi Rama, gjatë një aktiviteti në Qendrën Sociale “Jonathan”, foli edhe për mundësinë e indeksimit të pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuara, në mënyrë që ajo të përshtatet me rritjen e çmimeve. Në atë takim, kryeministri tha se po shqyrtohej mundësia që kjo ndihmë të indeksohej në mënyrë të ngjashme me pensionet. Qeveria ka njoftuar gjithashtu mbulimin nga buxheti i shtetit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e fëmijëve me aftësi të kufizuara.
A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?
Results
Vota totale: 4512

