
Deputeti i partisë ”Mundësia”, Erald Kapri është sulmuar me lëndë helmuese nga policia. Kapri ishte duke filmuar momentet kur i kërkonte llogari efektivëve me skafandra dhe kokore që sulmonin dhe i godisnin protestuesit teksa i ndiqnin nga pas. Në këto momente, deputeti i Mundësia ka kërkuar llogari nga efektivët përse po i dhunojnë protestuesit që ishin paqësorë.
”Para syve të mi, disa të rinj po goditeshin nga policia pa mëshirë me shkopinj gome. Teksa u kërkoja të ndalonin, një polic që më kishte identifikuar më erdhi nga pas dhe më hodhi pabesisht një sasi të madhe gazi helmues drejt e në fytyrë.
Nëse një polic guxon ta bëjë këtë ndaj një deputeti, mes sheshit, mendoni çfarë u kanë bërë të rinjve nëpër rrugica! Do mbani përgjegjësi, një më një! Nuk na ndalni!”, shkruan Kapri në rrjetet sociale.