
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas asaj që ai e cilëson si sulm ndaj selisë së Partisë Demokratike me gaz lotsjellës dhe pompa uji. Nëpërmjet një deklarate, Berisha akuzon kryeministrin Edi Rama se ka urdhëruar sulmin ndaj selisë së opozitës, duke e cilësuar ngjarjen si një akt hakmarrjeje politike.
“Sot, në një akt hakmarrjeje të verbër e primitive politike”, shkruan Berisha, ndërsa dënon me forcë veprimet ndaj selisë së Partisë Demokratike. Kreu i demokratëve thekson se PD-ja do të vijojë të mbështesë protestën qytetare dhe rinore, duke deklaruar se mbështetja do të vazhdojë deri në rrëzimin e qeverisë.
Partia Demokratike, përmes deklaratës së Berishës, shpreh vendosmërinë për të vijuar mbështetjen ndaj protestuesve. “Rroftë protesta! Fitore!”, përfundon reagimin e tij Berisha.
Postimi i plotë
Sulm banditesk kriminal ndaj Selisë së Partisë Demokratike.
Sot, në një akt hakmarrjeje të verbër e primitive politike, Padrino apo Edvin Kristaq Xhelati urdhëroi Demon e tij të sulmohet me gaz dhe pompa uji selia e Partisë Demokratike, si seli e një partie armike politike.
Duke dënuar me forcën më të madhe këtë akt kriminal të Edvin Kristaq Xhelatit dhe Demo kriminelit të tij, Partia Demokratike deklaron se ajo, sikundër deri sot, do të mbështesë me të gjitha mjetet protestën qytetare rinore gjer në përmbysjen e këtij regjimi armiqësor të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Rroftë protesta! Fitore!