Klosi-Murati: 2016-ta, do të jetë viti i diasporës

 

Shqipëria dhe Kosova e shohin diasporën shqiptare si një nga asetet më të mëdha, më së shumti njerëzore dhe intelektuale. Ndaj, të dyja vendet kanë vendosur që të ndjekin politika të përbashkëta që nxisin angazhimin më të madh të diasporës, kryesisht të të rinjve, në zhvillimet e vendeve të tyre kombëtare.

Pikërisht, koordinimi i këtyre politikave ka qenë në fokusin e takimit që ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë së Shqipërisë, Blendi Klosi zhvilloi sot në Tiranë me ministrin e Diasporës së Kosovës, Valon Murati.

Pas takimit dypalësh, të dy ministrat bënë të ditur për mediat se në bisedën e zhvilluar kishin rënë dakord që vitin e ardhshëm t’ia kushtojnë tërësisht diasporës dhe aktiviteteve kushtuar asaj.

“Bashkë me ministrin kemi folur shumë gjatë për një plan të përbashkët bashkëpunimi me Kosovën, që vitin e ardhshëm t’ia kushtojmë diasporës, të rinjve shqiptarë që jetojnë në diasporë dhe të kemi mundësinë që të ndërtojmë programe të përbashkëta pune”, – tha ministri Blendi Klosi.

Gjithashtu, ai shtoi se një prej këtyre projekteve konkrete ku do bashkëpunohet është edhe ai për krijimin e një rrjeti të të rinjve dhe studentëve të diasporës dhe regjistrimi i profesionistëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në diasporë.

Ndërkohë që ministri kosovar, Valon Murati shtoi se ndër projektet e tjera ku do të bashkëpunohet në këtë drejtim është edhe zhvillimi i programeve të përbashkëta të internshipit si dhe zhvillimi verën e ardhshme i një shkolle verore për të rinjtë nga gjithë diaspora, në mënyrë që pjesëmarrësve t’u krijohet mundësia të njihen më mirë me atdheun dhe mes tyre.

“Në vazhdën e bashkëpunimit që kanë dy qeveritë tona në trajtimin e përbashkët të diasporës, në trajtimin të diasporës shqiptare si një dhe e tërë, ne biseduam për t’i konkretizuar disa nga idetë që i kemi pasur nga takimet e mëparshme. Tani jemi në fazën e krijimit të grupeve të punës dhe në vitin e ardhshëm ne të kemi rezultate dhe zbatimin e projekteve konkreteve”, – tha ministri Murati.

SHKARKO APP