Kodi Penal/ Gjobë deri në 2 vjet burg për ata që “vjedhin” ujin
Duke filluar nga muaji shkurt, të gjithë individët që kanë bërë lidhje të paligjshme me rrjetin e ujësjellësit rrezikojnë penalitete, të cilat kryeministri Rama i ka cilësuar si shumë të rënda.
Masat do të jenë pjesë e fazës së dytë të aksionit në sektorin e ujit të pijshëm, ku krahas prerjes së lidhjeve do të ketë edhe procedime penale.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, “lidhja, si dhe çdo ndërhyrje tjetër e bërë pa leje në rrjetin e ujësjellësit, për marrjen e ujit të pijshëm, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet”.
Për të evituar penalizimin e individëve që kanë realizuar këto lidhje të jashtëligjshme në shtëpitë apo bizneset e tyre, është vendosur një afat prej 90 ditësh për prerjen e lidhjeve ose nënshkrimin e kontratave me ujësjellësat përkatës.

