Koncert festiv tek sheshi “Nënë Tereza” për Krishtlindje
Qytetarët e Tiranës duket se këto Krishtlindje do t’i festojnë në një koncert që do të mbahet në sheshin “Nënë Tereza”.
Njoftimi është dhënë nga vetë Bashkia e Tiranës që ka bërë të ditur se me rastin e Krishtlindjeve do të mbahet një koncert festiv që nis në orën 18:00.
Koncerti do të sjellë në shesh artistë të njohur shqiptarë, si Kastriot Tusha, Marjana Leka, Armando Kllogjeri, formacioni Fatos Qerimaj, Banda e Tiranës por edhe korin e fëmijëve apo orkestrën dhe korin e Liceut Artistik.
Krahas këngëve të njohura të Krishtlindjeve, në koncertin festiv nuk do të mungojnë as perla të muzikës botërore si “New York – New York”, “You knoë I am no good” por edhe këngët shqiptare, si “Moj e bukura more” apo “Kur më vjen burri nga stani”. Tenori Armando Kllogjeri dhe sopranoja Majrana Leka nën shoqërinë e orkestrës së UniArteve dhe korit të Liceut Artistik do të sjellin për kryeqytetasit edhe pjesë të zgjedhura nga opera “Turondot” e Giacomo Puçini-t apo opera “La Traviata”e Giuseppe Verdit.
Atmosfera e festës do të përcillet më së miri nga kori i fëmijëve të cilët do të sjellin një kolazh të këngëve të Krishlindjeve ndërsa koncerti do të mbyllet me një video promocionale për Tiranën, por dhe urimin e kryetari të Bashkisë, Erion Veliaj për çdo qytetar të Tiranës, por edhe Shqipërisë në këtë fundvit.

