Kreu i KMSH: Mesazhi im për myslimanët shqiptarë dhe miqtë nga Izraeli
Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj me anë të një postimi të publikuar në rrjetin social “Facebook” ka përcjellë sot një mesazh mirëseardhjeje për skuadrën izraelite të futbollit.
Kjo e fundit pritet që mbrëmjen e nesërme të zhvillojë një ndeshje me kombëtaren shqiptare në kuadër të eliminatorëve të Botërorit “Rusi 2018”.
Duke kujtuar që shqiptarët strehuan mijëra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore, Bruçaj thekson se populli shqiptar historikisht ka ditur të ruaj vlerat e larta humane të mikpritjes dhe harmonisë fetare.
MESAZHI I PLOTË I SKËNDER BRUÇAJ
Krenarë për popullin tonë ndër shekuj, që diti historikisht të ruante vlerat më të larta humane, atë të mikpritjes dhe tolerancës e harmonisë ndërfetare.
Krenarë për të parët tanë myslimanë shqiptarë, besimtarë e bujarë, që strehuan mijëra hebrenj në shtëpitë e tyre gjatë Luftës së II-të Botërore, duke u bërë vendi i vetëm në Evropë, që kishte më shumë hebrenj pas lufte se para saj.
Sportistëve dhe mysafirëve nga Izraeli i uroj qëndrim të qetë e në paqe në token shqiptare!
Dhe gjithashtu i uroj fitore kombëtares së mrekullueshme shqiptare, për të cilën jemi të gjithë krenarë!

