Kreu i SPAK, Altin Dumani: Kemi mbingarkesë, kërkojmë ndihmës të prokurorëve
Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, ka deklaruar ditën e sotme se problematike kryesore për Prokurorinë e Posaçme është mbingarkesa e çështjeve.
Dumani kërkoi që prokurorët të pajisen me ndihmësprokurorë dhe SPAK të hetojë vetëm çështjet me korrupsion të lartë.
“Mbingarkesa është problem kryesor. Problemi qëndron te natyra e çështjes dhe veprës penale. Të hetosh korrupsion, abuzim me tenderat, shpërdorim detyre, fshehje pasurie etj., është e vështirë. Kërkon kohë dhe mbulim të burimeve njerëzore. Kemi sektorin e hetimit financiar me 12 prokurorë dhe 4 vende poshtë.
Çështjet e fjetura po adresohen. Kemi këtë sektor, ku delegojmë një pjesë të mirë të veprimeve hetimore që kanë të bëjnë me korrupsionin. Tjetra është teknologjia. Metodat e vjetra të hetimit nuk vlejnë. Metodat e reja të hetimit bëjnë që të kesh hetime të suksesshme.
SPAK ka investuar dhe po investon në këtë drejtim të kemi mjetet e nevojshme, por është në proces që vazhdon gjithmonë dhe kërkon para. Paratë nuk na kanë munguar, i kemi patur. Kërkesat janë në rritje sepse teknologjia ndryshon dhe duhet t’i përshtatemi. Do investojmë të kemi mjetet më të mira.
Një gjë që do të na ndihmonte është pasja e ndihmese për prokurorët e prokurorisë së posaçme, sidomos për përgatitjen e prokurorëve për përfaqësimin e çështjeve. Ndihmësi nuk mund të ketë akses në hetim, por pasja e tyre ndihmon në përgatitjen e prokurorëve për përfaqësimin më serioz”, ka thënë Dumani ditën e sotme.