Krimet e Rënda lëshojnë urdhër-arrest për Klement Balilin
Disa orë pasi i vëllai, Hektor Balili deklaroi se nuk ka asnjë urdhër-arrest për Klemendin, Gjykata e Krimeve të Rënda ka lëshuar urdhër arrest për Klement Balilin, i ashtuquajturi si “Eskobari i Ballkanit”.
Urdhër-arresti i është dhënë Policisë së Shtetit për ekzekutim, ndërsa mbi Balilin është dhënë masa “arrest me burg” në mungesë.
Mbi Klement Balilin rëndojnë disa akuza e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe grupit të strukturuar kriminal.
Pak ditë më parë autoritetet greke dorëzuan në prokurorinë shqiptare një dosje voluminoze prej 10 mijë faqesh, sa i takon çështjes ‘Balili’. Fill pas kësaj, reagoi avokati grek i Klement Balilit, i cili tregoi rastet se kur autoritetet shqiptare mund të arrestojnë klientin e tij. Ndërkohë, duke qëndruar tek dosja ai pohoi se ndaj Balilit nuk ka asnjë provë.

