Kryemadhi takime në SHBA: LSI, projekt për rikthimin e të rinjve dhe të rejave nga emigrimi

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ndodhet këto ditë për një vizitë në SHBA. Kryemadhi ka zhvilluar një takim me anëtarë të komunitetit shqiptar në New York. Në një postim në Facebook, Kryemadhi shprehet se me shqiptarët në SHBA ka diskutuar për iniciativën që LSI po përgatit për rikthimin e të rinjve dhe të rejave nga emigrimi në Shqipëri.

Në vazhdën e vizitës në SHBA, zhvillova një takim me anëtarë të komunitetit shqiptar në New York. Në takim ishin të pranishëm mbi 300 anëtarë të komunitetit shqiptar, të cilët ishin mbledhur për të zhvilluar një bashkëbisedim. Mes të tjerash u tregova se në takimet e shumta që kam zhvilluar me pjesëtarë të komunitetit shqiptar në SHBA, jam ndjerë krenare për arritjet e tyre realisht suprizuese, por njëkohësisht ndjej edhe dhimbje, që ne si klasë politike jemi treguar të pavëmendshëm dhe indiferent për të realizuar reformat ekonomike dhe avancuar me shpejtësi në integrimin e vendit, për të bërë të mundur ndaljen e shpopullimit dhe hemorragjinë e trurit dhe të pjesës më energjike të Shqipërisë rinisë sonë, që i kushton shumë kombit dhe vendit”,- shprehet Kryemadhi.

Ajo shton se në takim “gjithashtu u fola edhe për iniciativën që LSI po përgatit për rikthimin e të rinjve dhe të rejave nga emigrimi dhe sesi Shqipëria duhet të përgatitet që kthimi i tyre të jetë mundësi për të rritur ekonominë shqiptare dhe kjo t’iu kthejë besimin familjeve të reja shqiptare që kanë më shumë mundësi në Shqipëri se në mërgim. Kjo duket utopi, por ulja e taksave, paga të mirëpaguara, subvencione për profesionin e bujqësisë që është shumë i vështirë por i domosdoshëm për jetë të shëndetshme, për fëmijët shqiptarë. Garantimin e arsimit dhe shëndetësisë cilësore”.

Kryetarja e LSI-së shprehet se politika duhet të ecë më shpejt dhe të krijojë mundësi për të rinjtë që të mendojnë të ardhmen në vendin e tyre.

Kjo është detyra jonë si politikë dhe ne duhet të ecim shpejt, sepse Shqipëria po zbrazet dhe po plaket me ritme shumë të shpejta. Shumë prej shqiptarëve punojnë dhe drejtojnë kompani të mëdha zyra legale, banka dhe janë dinjitozë në profesionet e tyre. Ndoshta sot Shqipëria nuk iu ofron mundësi, por ne duhet të punojmë që t’iu krijojmë mundësinë që të vijnë dhe idetë e tyre dhe projektet e tyre t’i zhvillojnë në Shqipëri”,- shprehet Monika Kryemadhi.

 

SHKARKO APP